KEK-u do t’i shesë qymyr qytetarëve e bizneseve për ta lehtësuar krizën energjetike

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se për zbutjen e krizës energjetike, do të fillojë procesin e shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese.
“Për këtë qëllim, KEK ka ndarë një sasi prej rreth 150,000 ton, qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar te kryhet brenda 60 ditëve kalendarike. Lidhur me këtë, KEK ju njofton se sasia për qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton. Për më tepër, KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë ka caktuar çmimi prej 15 € për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit”, bëhet e ditur në njoftimin e KEK.
Sipas njoftimit, procesi i ngarkimit dhe transportit do të kryhet nga një Operator Ekonomik (OE) i përzgjedhur nga KEK dhe nuk mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30 € për kamion dhe shumën prej 2.40 € për km për transport.
“KEK fton të gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror.Lokacioni: Drejtoria e minierës në Bardh, pagesa e qymyrit përmes xhirollogarisë së KEK sh.a. ndërsa pagesa e ngarkesës dhe transportit bëhet tek OE”, përfundon njoftimi i KEK-ut./21Media

Back to top button