​Kërkesa për hetimin e masakrës së Dubravës, test juridik për Specialen

Kërkesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enveri Dugolli drejtuar Prokurorit të Specializuar në Hagë për të hetuar masakrën e Dubravës po konsiderohet si test juridik për Specialen.

Përkundër që ka nisur dy shkresa karshi ZPS, Dugolli nuk ka marrë ndonjë përgjigje, por beson se kjo gjykatë ka juridiksion lëndor ta trajtojë edhe kërkesën e tij.

E, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaruan se nuk i komentojnë hetimet e tyre në medie.

“Sa i përket pyetjes suaj, ZPS nuk e diskuton hetimin e saj në media, por është e kënaqur që merr kontributet përkatëse provuese”, u bë e ditur në përgjigjen e ZPS-së.

24 vjet pas masakrës së Dubravës, i mbijetuari i kësaj masakre, Enver Dugolli po kërkon hetim nga ana e Gjykatës Speciales për krimet e Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë.

Enver Dugolli, i cili është edhe deputet i Lëvizës Vetëvendosje konsideron se përmes shkresave të tij ka dhënë mjaftueshëm argumente që Specialja të nis hetimin e kësaj masakre.

Madje, ai beson që Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion lëndor, por edhe territorial e kohor ta trajtojnë kërkesën e tij.

“Jo nuk kam marrë ende asnjë përgjigje, por të them të drejtën dhe nuk pres përgjigje të shpejt, por pres përgjigje meritore, pozitive që të fillojnë hetimet për masakrën e Dubravës për shkak se në letrën e parë apo kallëzim penal edhe pse se ka pas emrin kallëzim penal, por materia e letrës është kallëzim penal….Është dokumentuar me shkresat që i kam përcjell edhe gjendja faktike numri i dëshmitarëve më pastaj krejt ajo që ka ndodhur në masakrën e Dubravës……Besoj që argumentet që i kam sjellë në atë letër por edhe në letrën që e kam nisur drejt Hagës janë materiale të padiskutueshme dhe të argumentueshme që gjykata Speciales, gjegjësisht Prokurori i Dhomave të Specializuara ka autoritet dhe autorizime, por edhe juridiksion lëndor e mos të flasim për juridiksion territorial e personal edhe kohor për shkak se të tria as që diskutohen, mirëpo për juridiksionin lëndor kam nis…edhe disa argumente që janë në favor të kërkesës sime”, theksoi Dugolli.

Kryesit e masakrës së Dubravës ende nuk janë dënuar, prandaj Dugolli vlerëson se ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme që ZPS të nisë hetimet.

Ai tha se nëse kjo nuk ndodh, nga Gjykata Speciale duhet të deklarohen se është gjykatë njëetnike.

“Masakra e Dubravës është një ndër masakrat që askush deri më tani nuk është dënuar kanë nisur disa procese, por kanë mbetur në gjysmë, pra mos ndëshkueshmëria është prezente që përmendet në raportin e Dick Martyt, janë krime të organizuara dhe të ekzekutuara…pra ekzistojnë të mjaftueshme që kjo gjykatë, gjegjësisht Prokuroria e Dhomave të Specializuara të fillojë hetimet ose në të kundërtën le të dalin dhe lë të thotë se kjo gjykatë është një etnike gjë, të cilën e ka mohuar kryetarja e Dhomave të Specializuara”, deklaroi i mbijetuari i masakrës së Dubravës.

Test juridik për Gjykatën Speciale kërkesën e Dugollit e konsideroi avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, i cili për KosovaPress u shpreh se gjithmonë ka pasur dilema nëse kjo gjykatë do t’i trajtojë apo jo të gjitha krimet e pretenduara në Kosovë.

“Gjithsesi se është një test dhe ky veprim është i duhuri ngase gjithmonë ka pas dilema se Gjykata Speciale a do t’i trajtojë të gjitha krimet e pretenduara në Kosovës, apo vetëm krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja. Kështu që, tani është një test për Gjykatën Speciale, sepse kallëzimi penal është me shkrim dhe natyrisht që deputeti Dugolli do të duhej të merrte një përgjigje me shkrim që edhe përgjegjësitë për masakrën e Dubravës të procedohen penalisht para Dhomave të Specializuara dhe të shohim se si do ta arsyetojë prokurori nëse eventualisht e hedh atë kallëzim penal apo ta shohim edhe ndoshta do ta pranoj”, tha ai.

Qerkini konsideron se përgjigja karshi kërkesës për hetim të masakrës së Dubravës do të varet nga qasja që ZPS do ta ketë karshi interpretimit të raportit të Dick Martyt.

“Është shumë mirë që tani do të testohet kompetenca apo juridiksioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të merret me të gjitha krimet e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës dhe kjo do të varet se si ZPS do ta interpretojë raportin e Këshillit të Evropës, a do ta interpretojë në mënyrë të ngushtë se ky raport ka të bëjë vetëm me krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, apo në mënyrë të zgjeruar edhe në raport me forcat serbe dhe të thotë se ne kemi kompetencë që të hetojmë të gjitha veprat penale të kryera në Kosovë e që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimi dhe krime lufte, ngase raporti i Dick Martyt përmend edhe krimet e forcave serbe…Nuk mund të pritet një përgjigje shumë e shpejt, ngase hetimi merr kohë, e kuptoj pjesën ku ata nuk mund të veprojnë aq shpejt, mirëpo se si do të veprojnë është vështirë të prognozohet do të varet nga qasja që do ta kenë“, theksoi ai.

Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare,Bekim Blakaj kallëzimin penal të deputetit Dugolli karshi Zyrës së Prokurorit të Specializuar e konsideroi si një test për këtë gjykatë.

Por, ai shtoi se neni 6 i ligjit të Dhomave të Specializuara në Hagë i jep mundësi ZPS-së që mos ta marrë parasysh fare këtë kallëzim penal.

“Deputeti Dugolli e ka vënë në test Prokurorinë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës megjithatë ligji për këto Dhoma të Specializuara në nenin 6 e parasheh saktë se cili është juridiksioni lëndor i këtyre gjykatave dhe aty thuhet qartë se juridiksioni lëndor janë krimet e pretenduar që kanë qenë subjekt në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty…Ky neni 6 është i qartë dhe aty ne e dimë që subjekt i hetimeve të Task-Forcës speciale hetuese kanë qenë krimet e pretenduara nga UÇK nga pala shqiptare dhe nuk përmenden krimet masive të kryera nga forcat serb…Do ta shohim se si do të jetë përgjigja, mirëpo mendoj se ky nen do t’ia jap një hapësirë Prokurorisë Speciale që mos ta marrë parasysh kallëzim penal të bërë nga deputeti Dugolli”, tha ai.

Ndryshe, gjatë këtyre ditëve po bëhen 24 vjet, që në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Ndërsa, për këtë masakër ende nuk është dënuar askush.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015. DHSK dhe ZPS hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./kp

Back to top button