Këshilli i Prindërve: Do të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura nga greva

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të pranojë që nxënësit në vend t’i zëvendësojnë orët që janë duke u humbur si pasojë e grevës së punëtorëve të arsimit në këtë fillim të shtatorit.
Në një reagim publik të premten, KPK-ja ka thënë se do të mobilizohet që të bojkotohet zëvendësimi i orëve mësimore që po humbin tash.
“Duke shprehur indinjatën tonë të thellë për mos lëvizjen e palëve drejt dialogut social dhe vazhdimin e dëmtimit kryekëput të interesit të fëmijëve dhe prindërve, ia bëjmë të ditur të gjitha institucioneve se Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës do të mobilizohet dhe do t’ju bëjë thirrje të gjithë prindërve që të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura nga greva. Nuk duam të pranojmë edhe të dëmtohemi nga greva edhe t’ju përshtatemi orareve jashtë ditëve të punës apo jashtë kalendarit vjetor të mësimit”, thuhet në reagim.
Që nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Kërkesa kyçe e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media

Back to top button