Këtë muaj takimi i radhës në Bruksel për targat e automjeteve, optimizëm për marrëveshje

Këtë muaj do të takohen për herë të pestë në Bruksel grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve. Rreth një muaj para përfundimit të afatit gjashtëmujor të marrëveshjes për ”stikersat” ka optimizëm për arritjen e një ujdie të re.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se presin një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane. Kurse nga Bashkimi Evropian deklarojnë se takimi i fundit i grupit punues ka krijuar më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, ka thënë se në katër takimet e kaluara janë diskutuar propozime dhe argumentime për modele të zgjidhjes se cila do të jetë e pranueshme për të dy palët.
”Deri më tani grupet punuese janë takuar katër herë. Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar propozime dhe janë dhënë argumentime për modele të ndryshme të zgjidhjes e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët. Javëve dhe muajve në vijim presim që të mbahet edhe takime të tjera drejt një zgjidhjeje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane”, ka thënë ai.
Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se grupi punues po mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda afatit të paracaktuar e që është 6 muaj nga takimi i parë më 21 tetor 2021.
”Mbledhja e katërt e Grupit punues për targa u zhvillua më 28 janar 2022. Diskutimi konkret i thelluar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave krijoi më shumë qartësi në lidhje me opsionet e mundshme dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon. Grupi punues mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda 6 muajve nga takimi i parë më 21 tetor 2021. Grupi i Punës do të mblidhet sërish këtë muaj”, tha ai.
Nga ana tjetër, më skeptike për një marrëveshje finale për targat është Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Njohësja e procesit të dialogut ka thënë se shpeshherë në dialogun me Serbinë nuk janë respektuar afatet e parapara.
Sipas saj, ujdinë për targat mund ta pamundësojnë edhe zgjedhjet në Serbi.
Kosova me 20 shtator të vitit 2021 filloi reciprocitetin e targave të automjeteve ndaj Serbisë. Për zbatimin e kësaj mase u mobilizua edhe Njësia Speciale e Kosovës. Kjo krijoi tensione në veri të vendit ku qytetarë serbë protestuan dhe bllokuan rrugët kufitare në atë pjesë.
Si pasojë e tensionimit, më 30 shtator Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit arritën marrëveshje për deskalimin e situatës dhe largimin e specialëve nga veriu dhe lirimin e rrugëve. Ndërsa automjeteve të dy palëve do t’iu vendosej afishe ku mbulohen simbolet shtetërore./kp

Back to top button