Kjo është arsyeja pse fëmijët bëhen bullizues

Bullizmi është një fenomen i cili përmban dëshirën për të dëmtuar, lënduar ose tallur me dikë dhe shprehet përmes formave fizike, emocionale, psikologjike dhe kibernetike.
Për të realizuar këtë proces, bullizuesit apo agresorit, tallësit e denigruesit i duhet subjekt i përshtatshëm, respektivisht një “adresë” e sigurt në të cilën mund të shpreh shtysëm e tij destruktive.
Psikologu, Petrit Thaçi ka treguar për rtv21.tv se bullizuesi kërkon një person i cili duhet të jetë dikush më i dobët, më inferior, më pak rezistent, i cili lehtas mund ta pranojë identifikimin si viktimë, si i “mundur’ apo si i përulur.
Sipas psikologut fëmijët e moshave 10-11 vjeç deri tek 15-16 vjeç, priren të jenë më bullizues. Kjo ndodh për faktin se ata në këtë moshë kanë luhatje të thella emocionale dhe konceptuale në kërkim të krijimit të identitetit. Këto luhatje përshkohen edhe me impulse agresioni në shërbim të përmbushjes së kornizave për veten.
Tutje psikologu ka treguar se fëmijët të cilët rriten në ato familje që ka atmosfera konfliktuoze në mes të prindërve dhe antarëve të tjerë, priren që të zhvillojnë agresion dhe dëshirën për të zbrazur mllefin e akumuluar. Dëshpërimi emocional që ata përjetojnë, në pamundësi për ta kundërvënë në të njëjtën formë ndaj më të rriturve të familjes, në të shumtën e rasteve ndaj prindërve të tyre, siç thotë edhe psikanaliza, kthehet në një ngushëllim duke u identifikuar me agresorët dhe duke imituar sjelljet e tyre për të vënë ballansin në raport me atë që marrin. Pra fëmijët hakmerren ndaj fëmijëve të tjerë ose ndaj vëllezërve e motrave.
”Por nuk duhet harruar as edhe formën se me çfarë filozofie jetësore edukohen fëmijët. Ka prindër që stimulojnë dominantin dhe të pushtetshmin. Të tjerë që stimulojnë tallësin e hakmarrësin. Të tjerë që dominojnë jobashkëpunuesin dhe vetjakin, të cilat pastaj shprehen me forma të ndryshme agresioni e në rastin konkret me forma të bullizmit”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit persona më bullizues janë fëmijët dhe adoleshentët sepse e kanë më të lehtë të shprehin sjellje kërcënuese e denigruese ndaj dikujt më të vogël, por edhe në rastet kur bullizmi vjen nga bashkëmoshatarët sepse në këto periudha të zhvillimit, empatia apo ndërgjegjja se çfarë dëme emocionale-psikologjike mund të shkaktoj një sjellje bullizuese ndaj tjerëve është shumë e brishtë.
Në anën tjetër Thaçi ka treguar se pre e këtij fenomeni, në të shumtën e rasteve bien ata fëmijë që kanë prirjen për tu ndjerë më të ulët, më të dobët, më ndryshe nga të tjerët. Në këtë sens, fëmijët të cilët rriten me mungesë të lëvdatave, shpërblimeve, mirënjohjeve, e në të kundërt pa një stimulim për komunikim të lirshëm si shkak i mos komunikimit të mjaftueshëm me prindërit e tyre dhe bashkëmoshatarët, si dhe si shkak i kritikave të tepërta nga familja apo hapësirës së limituar për të zhvilluar interesat dhe iniciativat e veta.
Psikologu ka treguar se sipas shumë vrojtimeve të bëra mbi sjelljen bullizuese, si në ambientet familjare po ashtu edhe në ambientet e shkollës apo të punës, rezulton që gjinia mashkullore bullizon më shumë sesa gjinia femërore, edhe pse asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta kuptojmë bullizmin si pjesë identifikuese e njërës gjini apo tjetrës.
”Tek fëmijët mund të hasen shumë forma të bullizmit, që nga ai fizik i cili shprehet duke përdorë agresion fizik mbi bashkëmoshatarët por edhe forma me natyrë psikologjike e sociale duke bërë fyerje dhe tallje apo edhe përjashtim nga loja, nga grupi të bashkëmoshatarit të tyre. ndoshta më të theksuar mund të vërejmë format e talljeve, fyerjeve dhe ndalimit në përfshirjen me lojërat dhe eventet tjera të përbashkëta”, ka thënë Thaçi.
Ky i fundit ka dhënë edhe një shpjegim për rtv21.tv se si duhet të luftohet bullizmi. Sipas tij Luftimi i bullizmit kapë dimenzione të gjera në organizimin shoqëror. Ky është një konstrukt psikologjik, social, medial, edukativ dhe i vlerave me natyrë të filozofisë jetësore e shoqërore.
”Gjithçka fillon nga familja e cila duhet të kultivojë barazinë, drejtësinë, dashurinë, empatinë dhe bashkëveprimin. Të tilla vlera duhet të jenë fokus thelbësorë edhe i shkollës e cila përveç edukimit me natyrë arsimimi, ka misionin të zhvilloj edukimin edhe me natyrë të qytetarisë dhe kulturës. Cikli fillor duhet të ketë hapësirë shumë të madhe për të shprehur pjesëza të ndryshme emocionale gjatë programeve edukative dhe për ti kuptuar ato tek, si paraqiten dhe funksionojnë tek vetja dhe tek të tjerët. Dhe jo e gjitha përfundon këtu; janë mediat, portalet, gazetat të cilat duhet të pasurojnë rubrikat e tyre me karakter të themelimit dhe mirëmbajtjes së këtyre vlerave në shoqëri”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, edhe Leart Halili ka qenë i bullizuar në moshën 16 vjeçare, ku ai ishte bërë pjesë e një show të quajtur ‘’Talent show’’, përmes të cilit kishte menduar se do t’i hapte vetes dyert për të ndjekur ëndrrën e tij për aktrim.
Learti për rtv21.tv ka treguar se e ka kaluar shumë keq periudhën e adoleshencës për faktin se është bullizuar, madje videot e tij janë përhapur në rrjete të ndryshme sociale.
Për Leartin familja ka qenë përkrahja e tij më e madhe, edhe pse ata janë frikësuar se djali i tyre mund të bëjë ndonjë veprim jo të duhur për shkak të situatës në të cilën ishte përfshirë.
Learti ka treguar se si e ka kaluar atë periudhë të jetës.
‘’Nuk është se kam ndërmarrë ndonjë veprim i cili ka pasur të bëj saktësisht me tejkalimin e kësaj situate, thjesht kam vazhduar të bëj gjërat ashtu siq i kam bërë gjithmonë dhe kam provuar që të mos e mbaj mendjen e fokusuar tek kjo situatë, gjithmonë duke provuar që të jem i shoqëruar nga persona të afërt dhe që më bënin të ndihesha mirë për atë që jam’’, ka thënë Learti.
Në fund Learti ka dhënë një mesazh që sipas tij askush nuk duhet ta vras mendjen për fjalët dhe veprimet e të tjerëve, përderisa synon të punojë për të mirën e karrierës dhe vetës së vet.
”Ne nuk jemi viktima, jemi thjeshtë një dëshmi e asaj se në çfarë shoqërie të pa civilizuar jetojmë”, është shprehur Learti./21Media

Back to top button