Klopp flet për ndeshjen kundër Brightonit, lëndimin e Salah dhe garën drejt titullit të Premier Ligës

 
Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp ishte tejet i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij sot në fitoren 2:0 të Brightonit, ku ngushtuan epërsinë ndaj Manchester Cityt në tabelë në vetëm tri pikë.
Sidoqoftë, pas ndeshjes Klopp e pranoi që pret që City të fitojë çdo ndeshje që do të luaj, ku ndeshja e radhës për ta do të jetë kundër skuadrës së Crystal Palace këtë të hëne.
Liverpool vazhdoi me fitore në Premier Ligë, falë golit me kokë të sulmuesit anësorë Luis Diaz, dhe një penalltie të fuqishme nga Salah.
“Ne ishim të mirë, e dinim se Brighton është një skuadër tejet e mirë që mund të krijojë probleme, dhe kjo është ajo që pamë që nga fillimi i ndeshjes. Ishte pritur që të jetë një ndeshje tejet të vështirë, dhe jam tejet i lumtur në disa situata”, tha Klopp për “BT Sport” pas ndeshjes.
Golashënuesi i dytë i Liverpoolit në ndeshjen e sotme, Salah, la fushën pak minuta pas golit të tij, dhe Klopp tregoi se nuk ishte i sigurte në shkallën e lëndimit që e ka pësuar.
“Diçka nuk ishte në rregull. Unë mendoj që ishte një situatë kur këmba e tij u tërhoq. Duhet ta shohim”, tha Klopp.
Ndërkaq, në garën për titull në Premier Ligë, Klopp tha që pret që City të fitojë çdo ndeshje, ndërsa kërkon nga Liverpooli që të fitojë sa më shumë ndeshje që është e mundur.
“Është gjithmonë e njëjta, ti pret që Manchester City të fitojë çdo ndeshje kur i shikon ata duke luajtur. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të fitojmë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm, nuk duhet ta quajmë si një garë drejt titullit, ne vetëm duam të fitojmë ndeshje”, tha Klopp.
Pas fitores së sotme, gjigandi anglez Liverpool renditet në vendin e dytë në tabelë me gjithsej 66 pikë, tre sosh më pak se kampioni aktual Manchester City, që zë vendin e parë në tabelë me gjithsej 69 pikë.

Back to top button