KMDLNj: Qytetarët s’duhet të paguajnë për testin COVID-19, është përgjegjësi e shtetit

 

KMDLNj e konsideron shqetësuese që numri i të infektuarve që po përfundojnë me fatalitet si pasojë e COVID-19 është rritur jashtëzakonisht shumë. Lidhur me licencimin e laboratoreve private për kryerjen e testimeve për SARS-Cov-2, KMDLNj konsideron se qytetarët s’duhet të paguajnë për test, është përgjegjësi e shtetit.

“Tash, është rritur kapaciteti për testim, sidomos me licencimin e laboratoreve private e që KMDLNj -ë, në mungesë të transparences, nuk i ka të qarta kriteret në bazë të cilave është dhënë licenca. Rritjen e kapaciteteve për testim, KMDLNj e sheh si të domosdoshme dhe pozitive për qytetarët e Kosovës mirëpo kërkon një mbikëqyrje serioze, ndryshe ekziston rreziku real për një korrupsion pandemik. KMDLNj kundërshton çmimet e caktuara si të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës aq më parë që kemi thellim të krizës ekonomike me ç’rast një numër i madhe varet nga asistenca sociale dhe nga pakoja emergjente. Krijimi i kushteve për testim në raste kur dyshohet për infektim me COVID-19, është përgjegjësi e shtetit përjashtuar rastet kur të testuarit e bëjnë testin për qëllime turistike, të bërit biznes e që nuk kanë asnjë problem të natyrës financiare.”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj propozon që kategoritë sociale, grupet e margjinalizuara, ata që kanë mbetur pa punë dhe të gjithë të tjerët që nuk kanë mundësi të paguajnë, duhet të lirohen nga çdo pagesë kurse ata që kanë të ardhura të rregullta duhet të participojnë jo më shumë se 30%.

Po ashtu KMDLNj kërkon të krijohet një ekip monitorues që do të përcjellë punën e laboratoreve private dikur edhe listat e atyre që u bëhet testi në institucionet publike për t'u eliminuar çdo diskriminim e që nuk është bërë deri më tani aq më parë që kemi pasur diskriminim flagrant ku testet janë bërë prioritet në bazë të statusit në shoqëri e jo për shkak të nevojave pë parandalim dhe luftim të pandemisë./21Media

Back to top button