Komandanti i zjarrfikësve: Objekti i djegur nuk kishte masa për mbrojtje nga zjarri

(Lajm i përditësuar)
Sot në mëngjes depoja e barnave “Koslabor” në magjistralen Prishtinë-Ferizaj është përfshirë nga zjarri.
Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk ka të lënduar dhe se janë shkaktuar vetëm dëme materiale, kurse shkaktari i zjarrit ende nuk dihet.
Shefi i brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi ka shtuar se pjesa mbrapa objektit ka qenë e përfshirë nga zjarri dhe gjasat ishin të vogla që të parandalohej, por synimi i zjarrfikësve ishte që të mos lihet zjarri të përhapet në dy objektet përreth saj.
Ai theksoi se fabrika nuk ka pasur masa për mbrojtje nga zjarri.
“Rreth orës 09:54 jemi informuar për zjarrin. Ka edhe pajisje mjekësore për të cilat ne nuk e dimë çfarë lënde është djegëse apo jo. Kur kemi ardhur, krejt pjesa mbrapa ka qenë e përfshime nga zjarri, faza e zhvillimit ishte tepër e lartë dhe gjasat shumë të vogla për të parandaluar zjarrin. E gjithë puna është bërë që të mos të lihet zjarri të përhapet në dy objektet përrteth saj. Siç po shihet, fare nuk ka masa për mbrojtje nga zjarri”, ka shtuar Gashi.
Në vendngjarje janë zjarrëfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin.
Digjet një objekt në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, dëmet milionëshe
Nuk ka persona të lënduar nga zjarri në një objekt farmaceutik kosovar në rrugën Prishtinë-Ferizaj. Por, dëmet thuhet se janë milionëshe.
Vëllai i pronarit të objektit që u përfshi nga zjarri, Shefki Mehmeti në një prononcim për media tha se zjarri ka shkaktuar dëmë të mëdha, ndërsa ende nuk dihet shkaku.
“Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, qiramarrësit po thonë prej rrymës. Objekti është milionësh ndërsa për material nuk e di, por edhe ajo është një shumë e madhe sepse ka qenë i ngarkuar”, tha Mehmeti.
Digjet një objekt në magjistralen Prishtinë-Ferizaj
Mëngjesin e sotëm një zjarr ka shpërthyer në një objekt që ndodhet në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Përveç dëmëve materiale nuk raportohet për të lënduar.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt në rrugën Prishtinë -Ferizaj. Në vendngjarje janë zjarrfiksit dhe policia të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ka thënë Ahmeti./21Media