Komuna e Prishtinës paralajmëron rishqyrtimin e tarifës për taksitë

Komuna e Prishtinës ka vendosur çmimoren e re për taksitë, sipas të cilës tarifa për nisje nga 1.50 euro bëhet 2.00 euro.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me zyrtarë nga Komuna e Prishtinës lidhur me vendimin që e ndërmorën më 11 mars. Të njëjtit janë arsyetuar se ky vendim ka ardhur si kërkesë e vazhdueshme nga shoqata e radio taksive pas ngritjes së çmimit të nafës.
Megjithatë, komuna ka premtuar se do t’i kthejnë tarifat e mëparshme, por kjo do të ndodh kur të ulet “normalizohet çmimi i naftës”.
“Si Komunë e Prishtinës, jemi në proces të monitorimit të vazhdueshëm të çmimeve të produkteve, dhe posa të normalizohet çmimi i naftës , ne do ta rishqyrtojmë vendimin dhe t’i kthejmë tarifat e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Nga kabineti i kryetarit, Përparim Rama për rtv21.tv kanë thënë se është ndyshuar veç vendimi sa i përket nisjes, jo pjesa tjetër e vendimit.
“Pas takimeve të përbashkëta, konsultimeve të brendshme, dhe me dakordim të Kryetarit të Komunës, është aprovuar kërkesa e shoqatës së radio taksive, vetëm sa i përket tarifës së nisjes, nga 1.50 Euro në 2.00 Euro, për 1.5 km të para. Pra, lidhur me këtë, është ndryshuar Vendimi 01.nr.344-40495 i datës 27.03.2013, sa i përket tarifave të nisjes, ndërsa pjesa tjerë e Vendimit ka mbet e pandryshuar. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit të tij”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Kosova, si shumë vende të tjera të botës, është përballur me rritje çmimesh. Së fundi çmimi për një litër naftë në Kosovë ka shkuar deri 1.73 cent për litër./21Media
 

Back to top button