Konjufca: Ky mëngjes na tronditi me lajmin e hidhur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas aksidentit të sotëm në Bullgari, ku humbën jetën së paku 46 persona nga Maqedonia e Veriut.
Konjufca përmes një postimi në “Facebook”, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Ky mëngjes na tronditi me lajmin e hidhur për tragjedinë e ndodhur ne Bullgari. 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut njoftohet se kanë humbur jetën në autobusin që po kthehej nga Turqia. Ngushëllime familjarëve të viktimave, bashkëndjejmë dhe jemi me ta në këtë tragjedi, si dhe lutemi për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar kreu i Kuvendit të Kosovës.
Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor. 12 fëmijë kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.
Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./21Media

Back to top button