Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë

(Lajm i përditësuar)
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar ditën e sotme 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe deklaratë. Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka pasuar nënshkrimi nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.
Zyra e Kryeministrit në Kosovë njofton se gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.
“Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit.Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore”, thuhet në komunikatë.
Siç njofton Qeveria e Kosovës, një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.
Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.
“Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.
Kosova nis nënshkrimin e marrëveshjeve me Shqipërinë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar marrëveshjen me Qeverinë e Shqipërisë, për njohjen e së drejtës për ushtrimin e profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ajo bërë e këtë të ditur në rrjetin social në Instagram, ku publikoi dokumentin dhe shkroi “nënshkruhet”.

Paraprakisht, gjatë së enjtes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se i ka nënshkruar njëanshëm të gjitha marrëveshjet që pritej të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive, më 14 qershor.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë pasur të mbajnë mbledhje të përbashkët në Gjakovë, por kryeministri Edi Rama, e kishte anuluar atë. Rama po qëndron në Kosovë të enjten, ku zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentin Glauk Konjufca.
Ndërsa, kryeministri Kurti s’e takoi Ramën, me arsyetimin që takimi mund të zhvillohej vetëm nëpërmjet dy qeverive.