Kosova prezanton përvojat në zbatimin e reformave të financave publike
Prezantohen pikëpamjet lidhur me rëndësinë e reformës në menaxhimin e financave publike
Në Malajzi po mbahet konferenca “Zhvillimi i Kapaciteteve të Kontabilitetit në ekonomitë në zhvillim” në të cilën po marrin pjesë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, Zëvendës-Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), Ardiana Bunjaku.
Përfaqësuesit nga Kosova para përfaqësuesve të shumë shteteve pjesëmarrëse në konferencë, prezantuan në panelin “Roli i Thesarit dhe Auditorit të Përgjithshëm në adresimin e sfidave të reformës në Menaxhimin e Financave Publike (MFP)” ku janë prezantuar përvojat e Kosovës në dizajnimin dhe zbatimin e reformave të financave publike.
Panelistët nga Kosova kanë prezantuar pikëpamjet e tyre lidhur me rëndësinë e reformës në menaxhimin e financave publike, mënyrën e koordinimit me palët tjera dhe kanë nënvizuar aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Thesarit të Kosovës dhe kontributin e partnerëve nga organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti i donatorëve.
Konferenca është organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC) në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme te Auditimit (INTOSAI) dhe Bankën Botërore dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në fushën e financave publike midis vendeve me ekonomi të brishta dhe vendeve të zhvilluara.