KPK i reagon Kurtit lidhur me deklaratën se “prokurorët do të ribëhen”
Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka reaguar Albin Kurtit, lidhur me deklaratën e tij gjatë premtimeve në fushatën zgjedhore se “prokurorët e Kosovës duhet të ribëhen, siç e kanë emrin apo në të kundërtën do të shkojnë”.
Sipas KPK-së, deklaratat e politikanëve duhet të jenë të përmbajtura dhe të respektojnë ndarjen e pushteteve, pa ndërhyrje në punën e Gjykatave dhe Prokurorive.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) respekton të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë të secilit individ dhe subjekt politik, mirëpo deklarimet dhe qëndrimet e kandidatëve, të cilët janë pjesë e fushatës zgjedhore, duhet të jenë të përmbajtura dhe në respektim të plotë të ndarjes së pushteteve dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën për media të KPK-së.
Po ashtu, Kurti e ka përmendur edhe kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezin.
Lidhur me këtë KPK thekson se kryeprokurori i shtetit është i detyruar t’i përgjigjet vetëm KPK-së dhe jo vullneteve politike.
Ndër të tjera KPK thekson se me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë është duke u punuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe transparencës brenda sistemit prokurorial./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?