Krasniqi e quan hap të duhur aplikimin e Kosovës në KE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e ka quajtur hap të duhur.
Krasniqi ka thënë se si opozitë ata do ta mbështesin në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces.
“Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i duhur për të cilin s’do të duhej të kishte pasur hamendësim dhe të cilin e kemi kërkuar të ndodhë sa më parë. E përshëndesim këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesim në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces, në mënyrë që kjo objektivë shtetërore e shoqërore të realizohet sa më parë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka shtuar se ky proces i hap perspektivë të re institucioneve të Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm që e ofron Kosovën me vlerat demokratike evropiane, por i hapë perspektivë të re dhe shumë të nevojshme institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe shoqërisë tonë në përgjithësi”, ka shkruar Krasniqi.
Kosova sot ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin Evropian. Pas aplikimit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur optimiste për pranimin e Kosovës në këtë Këshill./21Media
Back to top button