Krasniqi për rastin e foshnjës në Pejë: Kryeministër dilni zot pacientëve, krimi ta ka kapluar sektorin

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas skandalit ku dyshohet se një foshnje pa shenja jete u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës.
Ai ka kërkuar nga Qeveria të merrë seriozisht shëndetësin dhe të caktohet ministri i Shëndetësisë. Duke shtuar se “krimi e ka kapluar sektorin”.
“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar”, ka reaguar Krasniqi.
Një foshnje e vdekur dyshohet se është futur në rrobalarëse gjatë javës së kaluar në Klinikën e Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për portalin rtv21.tv tha se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
Javën e kaluar, Policia kishte thënë se prindi i foshnjës është ankuar në polici pasi bashkëshortja e tij ka lindur foshnjën pa shenja jete, përderisa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.
Sipas Policisë familjarët e foshnjës së vdekur kishin insistuar për ta marrë trupin e saj për ceremoninë e varrimit, por nga stafi mjekësor u ishte thënë se foshnja nuk mund të merrej deri të nesërmen./21Media 

Back to top button