Kremlini thotë se rusët “s’kanë të drejtë të organizojnë protesta” pa leje

Qeveria ruse ka thënë se njerëzit që janë kundër pushtimit në Ukrainë “nuk kanë të drejtë të organizojnë protesta” pa kërkuar më parë leje.
“Sipas ligjit, pa ndjekur procedurat e duhura, këta qytetarë nuk kanë të drejtë të organizojnë aksione proteste për të shprehur këndvështrimin e tyre”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference me gazetarë të huaj.
Qindra protestues u arrestuan nga policia të enjten gjatë demonstratave kundër luftës, me policinë ruse të trazirave duke shpërndarë njerëzit përmes altoparlantëve në Moskë, transmeton rtv21.tv.
Sipas ligjit rus, demonstratat e mëdha kërkojnë që protestuesit të aplikojnë për një leje, e cila duhet të dorëzohet jo më shumë se 15 por jo më pak se 10 ditë përpara ngjarjes. Gjoba të rënda dhe në disa raste edhe burg mund të vendosen për ata që protestojnë pa leje.
Peskov pranoi se ka rusë që janë kundër asaj që Kremlini vazhdon ta përshkruajë si një “operacion special” dhe se qeveria duhet “të shpjegojë më mirë [motivet e saj] këtyre qytetarëve”. Ai sugjeroi gjithashtu se ka më shumë rusë në favor të pushtimit sesa kundër./21Media

Back to top button