Kthehet në rigjykim rasti i ish-ministrit Ferid Agani për stentat
Në rigjykim rasti “Stenta 1”
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin “Stenta 1”, ndaj ish-ministrit Ferid Agani dhe Gani Shabanit.
Gjykata e Prishtinës në prill të këtij viti kishte shpallur fajtor dhe e dënoi me 2 vjet e 6 muaj burg ish ministrin Ferid Agani dhe më 2 vjet burg e dënoi Gani Shabanin.
Pas parashtrimit të ankesës nga ana e mbrojtësve, Gjykata e shkallës së dytë ka pranuar si të bazuara ankesat e tyre dhe kishte gjetur se Gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat procedurale, ka vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë gjendjen faktike, duke e kthyer kështu çështjen në rigjykim dhe rivendosje.
Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzohen në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona, mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish-ministrit dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ish-ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës./kallxo