VV-ja padit ZRRE-në

Vendimi i marrë nga ZRRE, sipas VV-së konsiderohet që përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Anëtari i Kryesisë së VV-së,  Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan në Gjykatën Themelore padi ndaj vendimit të ZRRE-së për “shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike”, me ç’rast kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata., shkruan rtv21.tv

“Më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në rajonin e Durrësit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi në mënyrë të paparalajmëruar, gati klandestine, si pikë të rendit të ditës, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Ky vendim nuk përmban arsyetim. Të njëjtin vendim e pati marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MW dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar. Këto skema të tarifave nxitëse i kanë tre detyrime për shtetin dhe qytetarët, energjinë elektrike të prodhuar duhet t’u blihet 100%, kohëzgjatja 12 vjeçare e këtyre pagesave, me çmimin prej 85.5 euro për MWh. Energjia elektrike e prodhuar nga KEK kushton rreth 28 euro për MWh, dhe mesatarja e çmimit të energjisë në Kosovë shkon rreth 36 euro për MWh përfshirë importin dhe të gjithë burimet e ripërtëritshme. Kjo shtesë që buron nga këto skema nxitëse për­fun­dimisht paguhet nga faturat e energjisë elektrikë të kon­suma­to­rëve. Pra nga të gjithë ne. Kosova e ka shlyer detyrimin për kuotën e 25% për të gjitha burimet e ripërtëritshme, të vendosur nga Traktati për Energjinë më 2006. Nuk ka aktualisht asnjë ligj që e lejon cilëndo institucion të vjelë nga faturat e qytetarëve para të tjera për t’ia dhënë cilësdo kompanie private, pavarësisht a është për panele fotovoltaike, e me erë apo minihidrocentrale. Kushtetuta mbron barazinë para ligjit, pronën, konku­rre­ncën dhe kon­su­matorin”, thuhet në njoftimin në Facebook të VV-së.

Në postimin e tyre tutje thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara de­ty­rojnë Ko­so­vën të zba­tojnë legjislacionin e BE-së për energjinë, kon­kurrencën dhe ndihmën shte­të­rore. “Normat e BE-së parashohin që përfituesit e ndih­mës për ener­gjinë të për­zgjedhen me metoda të tregut të lirë (an­kand ose ofer­time kon­ku­rrue­se) dhe që ndihma të më­nja­nohet nga viti 2020“.

Vetëvendosje ka theksuar se vendimi i marrë nga ZRRE me 27 nëntor duke caktuar “tarifa nxitëse nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkik”./21Media

Back to top button