Kthimi i serbëve në institucione “vetëm” me konkurs

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e konkurseve të reja për plotësimin e vendeve të mbetura bosh që prej dorëheqjes së pjesëtarëve të komunitetit serb nga të gjitha institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucione duhet të bëhet sipas ligjeve dhe kushtetutës. Ndërkaq Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial thonë se ende nuk kanë trajtuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.
Prej më shumë se dy muaj që kur përfaqësuesit e serbëve të veriut dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës ende nuk ka plotësim të pozitave të tyre përveç zëvendësimit të 10 deputetëve të Listës Serbe.
Policia e Kosovë ka shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të policëve të dorëhequr në veri të Mitrovicës. Qeveria e Kosovës për RTV21 bëri të ditur se përveç konkursit të hapur për policë do të ketë edhe konkurse të tjera. Zëdhënësi Përparim Kryeziu, tha se kthimi i serbëve në institucione duhet të bëhet sipas ligjeve dhe kushtetutës.
“Tashmë ka një thirrje të hapur për polici. Do të ketë edhe thirrje tjera. Ato do të jenë të hapura për të gjithë ata që përmbushin kriteret. Kthimi i serbëve duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Ne nuk synojmë që të zëvendësojmë serbët me shqiptarët sepse ne duam që serbët të përfaqësohen në institucionet tona multietnike. U bëjmë ftesë të gjithë serbëve që janë të interesuar dhe që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për vende të hapura pune, veçanërisht ata që në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi që të punojnë në sektorin publik për shkak të Listës Serbe, e cila shpesh kushtëzonte punësimin me anëtarësim në këtë parti”, tha Kryeziu.
Konkursi për policët në veri u hap me 5 janar dhe deri më tani Policia e Kosovës e Kosovës nuk ka bërë të ditur se sa persona kanë aplikuar.
“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Policia e Kosovës, ç’do herë inkurajon dhe fton qytetarët që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”.
Derisa për policët është hapur konkursi, dorëheqjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve ende nuk janë trajtuar nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se gjatë muajit shkurt do të vendosin për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë.
“Ne nuk mund të shpallim vende të lira për zëvendësimin e gjyqtarëve pa aprovuar dorëheqjet e tyre. Pra fillimisht kemi procesin e dorëheqjeve e pastaj zëvendësimin e tyre”, tha Zogaj.
Ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës i tha RTV21 se ende janë në fazën e trajtimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës është duke i analizuar dhe trajtuar të gjitha dorëheqjet e ofruara veç e veç, andaj pas analizimit dhe trajtimit të secilës, do të marrë një vendim. Pa marrë një vendim nuk mund të lëshohemi në vlerësime se si do të ecet më tutje lidhur me këtë situatë”, tha Kolaj.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e sheh si problem kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në institucione, përmes konkurseve.
“Duhet shpresuar që gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës të kthehen në institucione duke revokuar dorëheqjet e tyre në të kundërtën do të jetë jashtëzakonisht problematik që të njëjtin të kthehen përmes konkurseve ne Gjykata dhe Prokurori”, tha Shala.
Për analistin politik Fidan Ukaj, kthimi i serbëve në institucione duhet të bëhet përmes procedurave ligjore. Sipas tij, veriu i Kosovës aktualisht është në një vakum institucional.
“ E shoh një gabim nëse provojmë që këta njerëz t’i kthejmë prapë në institucione pa kaluar nëpër filtrat qoftë të sigurisë ose fusha tjera meqë sot kemi një vakum institucional në atë pjesë të vendit. Nëse është fjala për kryetarët e komunave ata duhet t’i nënshtrohen procesit zgjedhor duke vazhduar me rekrutimin e pjesëtarëve të policisë që duhet t’i nënshtrohen konkursit por edhe në sistemin gjyqësor….duhet t’i nënshtrohet procesit të konkursit dhe verifikimit dhe mendoj se vetëm procesi i konkursit mund të sjellë njerëz profesional dhe me kredibilitet dhe të pastër nga e kaluara e tyre kriminale”, tha Ukaj.
Dorëheqjet e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës erdhën pas një vendimi të qeverisë së Kosovës për zbatimin shkallë- shkallë për ri regjistrimin e makinave të lëshuara nga Serbia me targat e Republikës së Kosovës për të cilën çështje më pas u arrit marrëveshjeje mes palëve./21Media

Back to top button