Kualifikimet drejt Botërorit, Kosova përballet me Turqinë

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të fillojë sot kualifikimet drejt Kampionatit Botëror 2023, ku në kuadër të fazës së parë kualifikuese do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Turqisë.
Në përballjen e sotme nikoqire është Kombëtarja e Turqisë, e cila do ta presë në shtëpi Kosovën nga 16:00.
Fakt interesant është që në po të njëjtën palestër, në shtator të vitit 2001 “Dardanët” kanë zhvilluar dy ndeshje kundër skuadrës së Kiliçoglu, ndeshje këto të parat për Kosovën pas luftës.
Kosova dhe Turqia gjenden në Grupin 1 të këtyre kualifikimeve së bashku me dy kombëtaret e tjera si ajo e Belgjikës dhe ajo e Greqisë.
Në pesë ndeshjet e fundit në vitin 2021, formë më të mirë ka Kosova, e cila ka regjistruar një fitore, një barazim dhe tre humbje, krahas pesë humbjeve radhazi të Kombëtares së Turqisë.
Ndërkaq, të dy këto kombëtare janë përballur gjithsej tre herë mes vete, ku dy fitore ka regjistruar Turqia ndërsa një herë kanë ndarë pikët e barabarta.
Sot me fillim nga ora 16:00 Kosova do të synojë që të hap një tjetër kapitull të suksesshëm të historisë duke arkëtuar pikët e plota kundër Turqisë.
Përballja ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të transmetohet drejtpërdrejt në RTV21 Plus.

Back to top button