Kuçi dhe ambasadori gjerman flasin për rritjen e eksportit për në Gjermani

 

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është takuar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Sipas komunikatës ministrore mes ambasadorit Rohde dhe ministrit Kuçi u diskutua për disa tema, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe marrëveshjen e fundit në Washington, për të cilën ministri tha që po presin kthimin e ekipit të Kosovës për të krijuar planin e menaxhimit të pikave të marrëveshjes.

Rëndësia e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, projekt për të cilin MEA ka ndarë edhe buxhet, u konstatua që do të ecë përpara me hapa të shpejtë, pasi interesimi për të zhvilluar veprimtari në këtë park është i madh.

Temë e takimit ishte edhe energjia, që ka marrë një fokus dhe përkrahje më të madhe nga MEA, ku tashmë nga gjermanët po bëhen edhe studime për të parë saktë zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme për të nxitur plotësimin e kuotës për këtë energji.

Ambasadori Rohde potencoi se në mandatin e tij si ambasador është i interesuar të çojë përpara zhvillimin ekonomik, nëpërmjet rritjes së eksportit të produkteve kosovare drejt Gjermanisë, edhe duke i kanalizuar remitencat milionëshe që vijnë nga ky vend. Për këtë, ministri Kuçi i ofroi mbështetje të plotë.

Kuçi dhe ambasadori Jorn Rohde ishin në frekuenca të njëjta të bashkëpunimit, edhe në strategjitë për investime dhe ndihmë kur bëhet fjalë përshtatjen me programet e rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19./21Media

Back to top button