Kumbaro pas vdekjes së 7 vjeçares: Dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, të mërkurën ka reaguar pas lajmit tragjik të së martës në Himarë, ku një 7 vjeçare ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pas goditjes nga një mjeti lundrues.
Ajo përmes Twitterit është shprehur nuk ka fjalë që shërbejnë si ngushëllim për familjen e vajzës, si dhe ka kërkuar nga drejtësia që të bëjë punën e saj, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet.
“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme! Me vetëdijen se nuk ka fjalë të shërbejë sado pak si ngushëllim për prindërit,familjen për gjëmën që pësuan,kërkesa shkon për Drejtësinë që të bëjë punën e saj, pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet e përbashkëta dhe rregullat dhe rrezikon të shkaktojë humbje jete, në tokë a në ujë qoftë! Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu, për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës. Jonada e vogël u prehsh ne paqe”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndryshe, të martën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i ka shprehut ngushëllime familjes Avdia për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila është goditur nga një mjet lundrues, që ka qenë duke u drejtuar nga një oficer policie në Potam të Himarës. Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë, Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja./21Media

Back to top button