Kurti: Ardhmëria jonë varet prej besnikërisë ndaj dëshmorëve

“Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve, ndërkaq ardhmëria jonë varet prej besnikërisë ndaj dëshmorëve”, tha kryeministri Albin Kurti në homazhet që i bëri sot te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në Varrezat e Heronjve në lagjen “Velania” të Prishtinës.
Në 32-vjetorin e rënies së tyre, Kurti kujtoi vjeshtën e vitit 1989, kur Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu si veprimtarë ilegalë organizonin dhe merrnin pjesë në demonstratat e asaj kohe, që ishin edhe të fuqishme edhe të shpeshta.
Kryeministri më tej theksoi aksionet e shumta në atë kohë, kur vepronte edhe çeta e Llapit me luftëtarët kryesorë, sot heronj, Ali Ajeti e Hasan Ramadani, të cilët i kishin armët që ua kishte dhënë Afrim Zhitia.
“Tash, kur vjen puna te përfaqësuesit e popullit janë dy lloj përfaqësuesish të popullit: përfaqësuesit demokratikë dhe përfaqësuesit historikë. Këto dy lloje nuk janë plotësisht të ndara, as të pavarura, por megjithatë janë dy lloje”, tha kryeministri.
Ndër përfaqësuesit më emblematikë të popullit në kuptimin historik të fjalës, ai veçoi edhe dy heronj të cilët sipas kryeministrit, janë të ngjashëm me dy heronjtë e përkujtuar sot.
Rexhep Mala e Nuhi Berisha, që janë shprehje e popullit tonë si rezistencë e popullit tonë, si një popull që nuk e duron shtypjen edhe padrejtësinë, që nuk e duron shfrytëzimin e pabarazinë, tha ai./21Media

Back to top button