Kurti: Astrit Dehari, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, sot u shpreh se ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari është viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur.
Ndërsa, për Adem Demaçin, Kurti tha se ai, është njëri ndër figurat e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe
“Kam fjalën për tribunën shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave serbe, Adem Demaci dhe për shokun, aktivistin, Astrit Deharin viktimë e padrejtesisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla të lëvizjes sonë dhe për sa kohë që do jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona për aq kohë do të jejohë dhe levizja”, tha Kurti.
Ai, në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, tha se përkundër veshtirësive, ata vazhdojnë “të jenë këtu” për të diskutuar mbi çështje që janë preokupuese për ta dhe qytetarët.
“Për 11-të vite e gjysmë kemi mbajtur 50-të mbledhje të këshillit të përgjithshëm. Kjo gjë tregon rregullësinë, me të cilën jemi mbledhur sa më shpesh sesa 4 herë në vitë, andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë, jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të larte vendimmarrës. Jemi mbledhur në kohë të vështira jemi mbledhur edhe në kohë të mira dhe do të vazhdojmë të mblidhemi rregullisht, pavarësisht angazhimeve të tjera”, u shpreh ndër të tjera Kurti.
Lidhur me rastin Dehari, Shërbimi Korrektues i Kosovës, para tri ditësh, ka shkarkuar nga puna dy zyrtarë.
Ish-aktivisti i VV-së, Astrit Dehari ka vdekur në nëntor të vitit 2016, derisa ka qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Back to top button