Kurti dhe Rizvanolli bëjnë thirrje për kursim të energjisë elektrike

Kryeministri i vendit Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me një video-mesazh të përbashkët, kanë paralajmëruar se dy muajt e ardhshëm do të jenë kritikë në përballje me krizën energjetike.
Për të vazhduar furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme, për të kursyer buxhetin tuaj dhe të Republikës së Kosovës, Kurti dhe Rizvanolli bëjnë thirrje dhe inkurajojnë që të vazhdojnë dhe intensifikojnë kursimin e energjisë.
“Të dashur qytetarë, për të ju ndihmuar në përballje me krizën energjetike kemi ndarë mbi 95 milionë euro. Që nga muaji shkurt kemi subvencionuar faturat e energjisë elektrike për të gjithë juve. Kemi paguar mbi 52 milionë euro për familje dhe mbi 37 milionë euro për biznese, për faturat e periudhës shkurt-dhjetor 2022. Që nga muaji shtator kemi dhënë subvencion shtesë për mbi 200 mijë familje që kanë kursyer energjinë dhe që nga tetori kemi subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje për mbi 8 mijë familje”, ka thënë Kurti në video-mesazh.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli ka falënderuar qytetarët, të cilët, sipas saj, kanë ndihmuar në zbutjen e krizës.
Ajo ka thënë se pas katër vjetësh të rritjes së konsumit të energjisë elektrike, gjatë vitit që lamë pas, për herë të parë është ulur konsumi nga familjet.
“Të dashur qytetarë në zbutje të krizës keni ndihmuar edhe ju, secili e secila që jeni kujdesur për të racionalizuar konsumin e energjisë elektrike. Pas katër vjetësh të rritjes së konsumit të energjisë elektrike, gjatë vitit që lamë pas, për herë të parë është ulur konsumi nga familjet. Vetëm në nëntor familjet kanë shpenzuar 15% më pak energji elektrike në krahasim me vitin paraprak”, është shprehur Rizvanolli./21Media

Back to top button