Peach: I pamatur veprimi i Qeverisë, u dëmtua imazhi i Kosovës

(Lajm i përditësuar)

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se i ka dhënë një mesazh të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me të të mërkurën.

Peach i ka quajtur të pamatura veprimet e Qeverisë në veri të vendit, me përpjekjen për t’i futur kryetarët e zgjedhur në objektet komunale.

“Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të futur kryetarët në objektet komunale me forcë ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme”, ka thënë ai duke shtuar se ka nevojë për depërshkallëzim të menjëhershëm.

Ai ka thënë se ka folur më homologë në Washington, Bruksel dhe më gjerë, dhe se nga bisedat me ta një gjë ka dalë e qartë se “ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëm në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët”.

“Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar krah Kosovës në kohë të mira e në të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë kështu, por veprimet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë këtë më të vështirë”.


Kurti flet me Peachin për veriun, thotë se është gati për takim me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mbrëmë natën vonë ka takuar të dërguarin special të Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Kurti tha se në takim me Peachin e ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ritheksoi gatishmërinë e tij për bisedime të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e BE-së.

“Patëm një takim natën vonë me Stuart Peach për të diskutuar më të fundit mbi veriun. Deklarova se qëllimi i vendosjes së policisë ishte vetëm ruajtja e sundimit të ligjit. Ritheksova gatishmërinë time për bisedime të nivelit të lartë nën lehtësimin e BE-së. Falënderova gjithashtu Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e tyre”, tha Kurti.

Kujtojmë se sot Kurti u takua edhe me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Back to top button