Kurti i tha PO Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të shtyrë zbatimin e vendimin të gjobitjes së qytetarëve për targat ilegale.
“E falendëroj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për një shtyrje 48 orëshe për dhënien e gjobave për target ilegale KM (dhe të tjera). Jam I lumtur të punojë me SHBA-në dhe me BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kryeministri në Twitter.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë.
Hovenier tha se këtë kërkesë ia ka bërë qeverisë për t’i lejuar ShBA-të dhe BE-në që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.
Kjo kërkesë e SHBA-së erdhi pasi që takimi i djeshëm në Bruksel nuk rezultoi me një zgjidhje për situatën në Kosovë.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e sotëm për çështjen e targave ilegale.
Ai në konferencë për media, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiq, ka thënë se ka propozuar për palët që Kosova tështyjë vendimin për targa, ndërsa pala serbe që mos të lëshojë më targa “KM”.
“Vitin e kaluar kemi punuar nga shmangia e krizave në krizë dhe nuk kemi pas mundësi që të merremi me çështjen e normalizimit përfundimtare dhe kjo duhet të përfundojnë…Ne kemi bërë një propozim që do të mund të shmangte këtë situatë. Presidenti Vuçiq e pranoj por jo edhe kryeministri Kurti. Pres nga Kosova që menjëherë të ndal fazën e dytë për targat dhe e thërras Serbinë që menjëherë të ndal dhënien e targave. Unë po i thërras të dy palët që t’i respektojnë këto dy çështje”, ka thënë ai./21Media

Back to top button