Kurti jep shenja që s’do ta zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit, pritet të sqarohet në Kuvend 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë shenja që s’do ta zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit, ani pse ditë më parë departamenti i shtetit Amerikan ka thënë se administrata e re Biden mbështet të arriturat e zotimeve të 4 shtatorit të vitit të kaluar.

Kreu i ekzekutivit këtë marrëveshje vazhdon ta sheh si një grumbull pikash, e jo marrëveshje merre ose lerë. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare pritet ta ftojë Kurtin në një seancë parlamentare për ta sqaruar pozicionin e tij karshi kësaj marrëveshje, derisa LDK-ja i kërkon kryeministrit të qëndrojë pas saj, pasi Kosova përfiton nga e njëjta. Kërkesë të tillë për të parin e qeverisë kanë edhe nga shoqëria civile.

Kurti gjatë një paraqitje në Parlamentin Evropian, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit nuk është menduar të zbatohet.

“Nuk besoj që është menduar të implementohet, ka disa elemente pozitive, kështu duhet të shohim si grumbull pikash e jo marrëveshje merre ose lere”, u shpreh ai.

Këtë qëndrim të Kurtin, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkon ta sqarojë në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas tij, i pari i qeverisë shpesh herë i ka ndryshuar qëndrimet me ardhjen e tij në pushtet.

“Ne ditëve të ardhshme do ta ftojmë kryeministrin Kurti në seancë lidhur me çështjen që ju e përmendët. Nuk është diçka risi për zotëri Kurtin sepse e kemi pa duke i evoluar qëndrimet dhe duke ndryshuar me ardhjen e tij në pushtet, sikur të kaluarën”, ka thënë Tahiri.

Implementim të kësaj marrëveshje po kërkon anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, e cila ka thënë, se zotimet e Uashingtonit po mbështetën edhe nga administrata Biden.

“Ajo marrëveshje i dha një mbështetje të shtuar edhe ShBA-së, por sidomos edhe BE-së që të vendosë në pozitë më prioritete dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë̈ dhe të nis me investime miliardësh në territoret e këtyre dy shteteve. Pas ndryshimit të administratës në ShBA kemi parë gjithashtu edhe mbështetjen e administratës Biden për marrëveshjen. Herën e fundit para dy dite ishte qëndrimi i departamentit të shtetit, ku thotë̈ se shteti i Amerikës mbështet të arriturat e marrëveshjes së Uashingtonit dhe pret prej palëve t’i përmbahen për të arritur zhvillimin ekonomik. Nëse dy administratat e ndryshme në ShBA e mbështesin marrëveshjen e Uashingtonit, mendoj që do të duhej që qeveria e sotme të analizojë mirë dhe të punojë në benefit të Kosovës që të përfitojë̈ sa më shumë nga kjo marrëveshje”, ka thënë ajo.

Qëndrim prapa marrëveshjes së Uashingtonit, Qeverisë Kurti po i kërkon edhe Violeta Haxholli nga KDI.

“Kosova duhet të tregoj seriozitetin e saj si shtet i mirëfilltë̈ dhe t’i qëndrojë̈ prapa zotimeve ndërkombëtare që i ka marrë në kuadër të krejt procesit. Assesi nuk duhet të dukemi ajo pala që nuk i përmbush obligimet e saja që i ka marrë në këtë̈ marrëveshje. Duhet të ketë̈ një̈ vazhdimësi të gatishmërisë së Kosovës që të adresojë ato që janë̈ arritur në kuadër të dialogut”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit 2020 kanë nënshkruar një dokument të zotimeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Të njëjtat, kryeministri Kurti sa ishte në opozitë i ka kritikuar, duke i quajtur të dëmshme./KP

Back to top button