Kurti: Lajçak u pozicionua kundër Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë  Miroslav Lajçak, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti. Kështu ata kanë shkuar larg me goditjen e të ardhmes të Kosovës në situatën në të cilën jemi vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen në gjykimin tim me asnjë hedhje të hirit syve. Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësinë/ plotninë e saj ose nuk mund ta zbatojmë vetëm ato që i do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë me një shteg të tillë”, tha Kurti gjatë një konference për media këtë të hënë.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Ai theksoi se Lajçak duhet t’i jap llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian pasi që sipas Kurtit ai është bërë palë me Serbinë./21Media


Kurti jep detaje nga takimi i fundit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje të reja për takimin e fundit në Bruksel.

Ai e ka quajtur të pavërtetë publikimin e një dokumenti të BE-së ku thuhet se Kurti e refuzoi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes ndërkaq Vuçiq e pranoi.

Kurti vazhdoi kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak të cilët sipas tij e ekspozuan përballë një skenar që e kishin dizajnuar më herët për ta vënë në qendër themelimin e Asociacionit në kuadër të marrëveshjes bazë dhe moszbatimin e pjesës tjetër të ujdisë.

Këtë Kurti tha se e ka refuzuar kategorikisht duke ofruar plan konkret për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes mbi bazën e parimit të gjithëpërfshirës.

“Ofrova propozim konkret për zbatim të plotë të marrëveshjes bazike mbi parimin e gjithëpërfshirës, ku zbatohet secili nën i kësaj marrëveshje. Por mua në takim mu kërkua që të kalojmë në një proces negocimi për hartimin e statutit të Asociacionit, por unë iu bëra të qartë përfaqësuesve evropian se duhet zbatim i plotë i tërë marrëveshjes dhe jo fokus në një pikë”, tha Kurti në konferencë për medie.

Kurti shtoi se kërkoi që BE-ja të tregonte nëse Serbia kishte dorëzuar një dokument për zbatimin e marrëveshjes. Një dokument iu dha në fund të takimeve, që sipas Kurtit ishte i datës 19 korrik, që ishte refuzuar gjatë takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të mbajtur në po atë datë.

Sipas tij, ky dokument kërkonte që fillimisht të themelohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e pastaj diskutimin për planin e BE-së, duke shtuar se dokumenti “ishte shndërruar në plan të ndërmjetësuesit”.

Kurti u pyet edhe për masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kushteve të ndërkombëtarëve për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Kryeministri kosovar tha se që një kohë nuk ka tensione në veri dhe Kosova veçse ka reduktuar praninë policore atje dhe ka hartuar një udhëzim administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.

“Deeskalimi do të duhej të konsiderohej i mjaftueshëm për heqjen e masave”, theksoi ai.


Kurti e Bislimi sot mbajnë konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi do të mbajnë sot, konferencë për media.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrisë, konferenca do të mbahet në orën 10:30 në ndërtesën e Qeverisë.

Nga zyra e qeverisë nuk janë dhënë detaje për arsyet e kësaj konference, por pason pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiqi të enjten në Bruksel.

Ky takim që ishte i pari pas disa muajve përfundoi pa ndonjë rezultat.

Back to top button