​Kurti: NATO ka rol të rëndësishëm në mbështetjen e FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, NALT, ku u bë kalimi i detyrës nga gjenerali Hammerstein te gjenerali Nawrat.

Kurti tha se demokracia e re dhe në rritje ndërtohet nga kontributet e shumë njerëzve, andaj është gjithmonë kënaqësi të veçojmë ata që kanë kontribuar për këtë dhe një shembull i tillë është vepra instrumentale e gjeneralit Hammerstein.

Duke veçuar kontributin dhe punët frytdhënëse të zhvilluara nga ai, kryeministri Kurti tha se gjenerali Hammerstein ka vepruar në një kontekst kyç, e ku dhe puna e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti vlerësoi edhe rolin thelbësor të NATO-s dhe mbështetjen e saj ndaj Kosovës.

“Gjatë 12 muajve të fundit, integriteti ynë territorial dhe paqja e përgjithshme, janë sfiduar nga forcat destabilizuese, të cilat kanë kryer veprime terroriste dhe kriminale. Vizioni, disiplina, profesionalizmi dhe integriteti, durimi, komunikimi dhe bashkëpunimi ynë, na bënë fitimtarë për sigurinë që nuk lë askënd pas dhe sundimin e ligjit që nuk privilegjon askënd”, tha ai.

Back to top button