Kurti: Në fjalimin në OKB, Thaçi tregoi se ka dalur nga vetmia dimërore

Kurti komenton fjalimine presidentit në Këshillin e Sigurimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar fjalimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të mbajtur mbrëmë në mbledhjen e jashtëzakonshme te Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kurti vlerëson se Thaçi nuk po flet për integritet territorial, nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës.

“Në fjalimin e tij të mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Thaçi tregoi se ka dalur nga vetmia e madhe dimërore. Ai tha: “Në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.” Për të vazhduar me: “Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gati për vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike”, tha kurti në një postim në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai tutje tha se Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës siç e quan Kurti madhështore e masive të 29 shtatorit. “Po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’”, u shpreh Kurti.

I pari i VV-së bëri thirrje për fjalët ‘vendime të vështira’,  ‘shkëmbim popullatash’ që po i përdor Thaçi në deklaratat e tij.

“Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës”, u shpreh Kurti.

Kurti krejt në fund përmendi edhe votimin e rezolutës së dialogut me Serbinë.

“Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës”, përfundoi Kurti./21Media 

Back to top button