Kurti në tubimin me studentë kujton demonstratat e vitit 1981

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin me studentë, në shënim të 42-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, të organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, ai tha se Demonstratat e vitit 1981, prodhuan një gjeneratë të tërë të rinisë studentore të burgosurish, që edhe sot njihen si Brezi ’81.
“Ky brez i cili nga brenda burgut do të prodhonte edhe një lloj të veçantë letërsie që nga vetë ata është quajtur “letërsi burgu”, apo “letërsi nga burgu”, e që do të paguanin një faturë të lartë politike me jetën e tyre. Mbi tre mijë të burgosur, do të kalonin rreth 25 mijë vite në burgje, teksa më 1986, Kosova ishte kthyer në vendin me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Rreth gjysma e popullsisë totale të Kosovës ishte përfshirë në demonstrata, kurse diku 1/3-ta e saj, do të kalonte nëpër procedurat e tmerrshme të marrjeve në pyetje, përndjekjeve politike dhe torturave nga policia dhe shërbimi sekret i UDB-së famëkeqe”, tha kryeministri Kurti para të pranishmëve./21Media

Back to top button