Kurti-opozitës: Keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo s’mund të bëhet

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.
“Unë e kam të qartë që ju keni qejf me ua themelu ‘Zajednicën’, por ajo nuk kalon. ‘Zajednicën’ e keni pranu ju, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, e unë nuk ua zbatojë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se sa i përket raportimit në Kuvend, ka shprehur gatishmërinë që të diskutojnë kurdo që dëshiron opozita.
“Kurdo që dëshironi unë jam i gatshëm. Sa i përket neneve, unë i kam takuar krerët opozitarë ndaras, por sa i përket diskutimit në Kuvend ju takon juve ta ftoni, a unë i kam ftuar krerët opozitare. Unë nuk dua të ndërmarr hapa që do ta dëmtonin Kosovën për çështjen e konfidencialitetit por Kuvendi i Kosovës është mbi të gjitha. T’ua bëj të qartë edhe njëherë përveç Kushtetutës dhe ligjit janë edhe pesë kushte të tjera”, ka thënë ai.
Kurti lidhur me raportimin i është përgjigjur deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se opozita e dikurshme kur ishte pjesë e saj edhe VV-ja kishte bërë rezolutë për raportimin e kryeministrit për dialogun.
“Në këtë Kuvend LDK dhe VV kanë bërë rezolutë që i kërkon qeverisë para çdo diskutimi të raportojë vetë në kuvend. Ju e keni propozuar. Konfidencialiteti, a na tregon çka është ai, se kur ish-kryeministrat thoshin kështu ju i quanit tradhti. Kryeministër mos harro se për kauzën tënde kanë vdekur njerëz”, ka thënë ai.
Kurti prezanton kushtet për pranimin e Asociacionit
Sot në seancën e Kuvendit Kryeministri Albin Kurtika dhënë gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucional. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore.
Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve.
Asociacioni i komunave mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).
Tahiri i uron Kurtit dhe ministrave rritjen e pagës pas caktimit të koeficientit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka uruar kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij, rritjen e pagës pas caktimit të koeficientit.
Ai ka thënë se zbritja e pagës së profesorit, gjyqtarit e prokurorit është e papranueshme.
“Lexuam një raport shqetësues të ambasadorit kosovar në Amerikë, një raport që tregon gjendjen e mjerueshme të ambasadorit dhe trajtimin e tij brutal nga Amerika. Shtrohet pyetja se çka e ka sjellë një brutalitet të tillë të Amerikës ndaj ambasadorit të Kosovës atje. Si kemi arritur të vihemi në pozita të tilla?”, ka thënë ai.
Ai ka thënë që Qeveria duhet të reflektojë karshi këtij bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rrustemi-opozitës: A e doni ju për Kosovën tash e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, sot tha se për çdo ditë në muajt e fundit në Kosovë “jemi dëshmitarë të një ngarendeje problematike politike”.
Ai në senacën plenare të Kuvendit të Kosovës, u shpreh se sa herë që preken bandat e krimit dhe politikës së Vuçiqit në Kosovë del nga një propozim serb. Ai i kërkoi opozitës që të përgjigjen se a e duan për Kosovën tani e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin.
“Aktorë e faktorë politikë, kryesisht të ish-pushteteve, personazhe nënshkruese të marrëveshjes së dëmshme e aksionerë e pjesëmarrës… në veri të vendit janë njëzëri. Të amnistohen të gjitha ngjarjet që ndodhën gjatë dhjetorit në katër komunat në veri të vendit tonë. Frikësim, djegie veturash, sulme personash, barrikada, veprime të elementeve kriminale të grupit Wagner, të ujqërve të natës, të bandave të Vesilinoviqit e Radojçiqit, të shtëna ndaj Policisë së Kosovës, sulme patrullave, çka jo tjetër, kundër shtetit të Kosovës e kundër rendit e ligjit në Kosovë. Çuditërisht këto nuk i bëjnë përshtypje këtij kori. Sa herë që preken bandat e krimit dhe politikës së Vuçiqit në Kosovë del nga një propozim serb, tanimë dihet se kush e përkrahë i pari. Pikërisht ata që i lanë një trashëgimi të dëmshme marrëveshjeve me Serbinë. A bën njëherë që aktorë e faktorë politikë të ish-pushtetit të thonë me zë të lartë çka duam për Kosovën jo çka do Vuçiqi… A e doni ju për Kosovën tonë tash e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin, kjo është pyetja të cilës duhet t’i përgjigjeni.”, tha ai.
LDK-ja kërkon përkrahje për amendamentin për koeficientin
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja e shpreh shqetësimin për vlerën e koeficientit. Ajo ka thënë se Qeveria ka dalë me statistika të pasinqerta.

Në emër të LDK-së ka kërkuar përkrahje në amandamentin për koeficientin prej 125 euro.Bajrami ka thënë se përkundër krizës së rritjeve të çmimeve, Qeveria nuk ka marr parasysh asnjë nga masat që LDK-ja i ka propozuar.

 
Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së
Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje është hequr nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Ajo ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo të caktohet për një seancë tjetër.
“Kjo sepse komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Kjo pikë do të caktohet në një seancë tjetër”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin që tash po kërkon ta shkarkojë.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për seancë plenare.
Sipas njoftimit, mbledhja e Kuvendit do të nisë nga ora 10:00.
Në rend të ditës janë pyetjet parlamentare dhe 24 pika të tjera.
Rendi i ditës
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
5. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
6. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,
7. Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,
8. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,
9. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,
10. Votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021,
11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 datë 25.01.2023
12. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM),
13. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-166 për Tubime Publike,
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-173 për Sigurinë Kibernetike,
16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për Energjinë,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-202 për Kinematografinë,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-206 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës,
20. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,
24. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,
25. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

Back to top button