Kurti pas arritjes së marrëveshjes për viza: Po konfirmohet progresi ynë drejt BE-së

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për arritjen e marrëveshjes për liberalizim të vizave mes Këshillit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, në të njëjtën ditë kur u nënshkrua aplikimi i Kosovës në BE.
Kurti ka thënë se këto dy zhvillime, që u bënë njëkohësisht, dëshmojnë progresin e Kosovës drejt BE-së.
“Sot, kur Republika e Kosovës bëri hapin e saj të parë drejt anëtarësimit në BE, Këshilli dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë deri në janar të vitit 2024 – konfirmim më i madh i progresit tonë në agjendën e reformave të BE-së”, ka shkruar Kurti në Twitter.


Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim./21Media

Back to top button