Kurti: Terrorizmi u godit globalisht, por mbetet kërcënim i paparashikueshëm

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerkës në 22-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

“Si rrallë herë ndonjë epokë gjatë historisë, mijëvjeçari i tretë i erës sonë mori mbiemër duke fituar epitet qysh në fillim të tij. Cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI, këtu e 22 vite më parë, kur avionë civilë të marrë peng nga terroristë, u drejtuan mbi Kullat Binjake në Nju Jork, duke i shembur ato gjatë kryerjes së sulmit terrorist që shkaktoi tronditje globale dhe pati ndikimin më të shumëanshëm të kohës sonë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Sipas Kurtit, terrorizmi është goditur shumë në nivel global, ndonëse mbetet kërcënim i paparashikueshëm për sugiruinë botërore.

“22 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Al-Kaida është më e dobët se kurrë më parë, ndërkohë që i është vrarë lideri i dikurshëm Osama bin Laden si dhe i janë kufizuar shumëfish mundësitë dhe hapësirat e veprimit. Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë. Demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi”, ka thënë ai.


Haradinaj: Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me popullin amerikan dhe familjet që humbën të afërmit e tyre në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.

Ai ka thënë se ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës, për demokraci dhe paqe në botë.

“Populli i Kosovës, misionet, të zgjedhurit e Kosovës, shqiptarët kudo që jeni, bashkëndjejmë me popullin amerikan, jo vetëm në këtë ditë. Përvjetori i sulmeve terroriste në tokën amerikane, një tokë e lirë e që mbrojti lirinë tonë dhe demokracinë në gjithë botën. Edhe unë bashkë me kolegë ashtu si të gjithë në këtë ditë vazhdojmë të qëndrojmë dhe qëndrojmë përjetë me Amerikën”, tha Haradinaj.


“Kosova Kujton” sulmin e 11 shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova Kujton” e viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëhet e ditur në një komunikatë për media.


Osmani: 11 shtatori ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë

Presidentja Vjosa Osmani ka nderuar sot viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Back to top button