Kurti tha se zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte

Kryeministri Albin Kurti, sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, deklaroi se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër. Kryeministri tha se nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, theksoi sot kryeministri Kurti gjatë ligjëratës së hapur në Universitetin DePaul të Chicagos.
23 vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, nënvizoi ai, ndërkaq tha se zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte. “Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, citohet se tha Kryeministri.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se imazhet nga lufta në Ukrainë për ne janë veçanërisht të dhimbshme.
“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri.
Ai shtoi se kjo është arsyeja pse Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit. “Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, vazhdoi kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja jonë është e fuqishme edhe për shkak se ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën./21Media

Back to top button