Kusari-Lila: Këtë javë mbahen dy seanca të Kuvendit të Kosovës

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila edhe njëherë ka ritheksuar se asociacionin një etnik të komunave me shumicë serbe nuk e mbështetin si subjekt politik, derisa theksoi se kjo kërkesë vazhdimisht po vjen nga Serbia.
Ajo tha se si Lëvizje Vetëvendosje dialogun Kosovë-Serbi e konsiderojnë si platformën e vetme për normalizimin të raporteve mes dy vendeve.
Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila njoftoi se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca të Kuvendit të Kosovës, një të mërkurën me pika të papërfunduara nga sesionit vjeshtor 2022, ndërsa të enjten parashihet seancë e re për sesionin pranveror ku ndër pikat e rendit të ditës është edhe ajo e peticionit për trustin i nënshkruar nga 17 mijë qytetarë të Kosovës.
“Çështja e asociacionit tek ne ka qenë një çështje që qëndrimi është i qartë, që asociacioni një etnik nuk është që mbështetet nga grupi ynë parlamentar apo nga subjekti politik në pushtet. Arsyeja është se konsiderojmë që një etniciteti nuk është parim mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës e me të cilin avancohet interesat e cilido komunitet. E dyta, sa i përket konsensusit të përbashkët konsiderojmë se janë disa çështje që kryeministri që në fillim të mandatit ka deklaruar se duhet konsensus I përbashkët në veçanti për politikën e jashtme, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për çështjet apo strategjitë që tejkalojnë mandatin e një qeverisje”, theksoi ajo.
Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se kërkesa për asociacion po vjen vazhdimisht nga qeveria serbe e cila po insiston në themelimin e këtij asociacioni.
“Me pakon e Ahtisaarit dhe me ligjet aktuale në fuqi nuk po e dëgjojmë se nga ndonjë mangësi që Pakoja e Ahtisaarit ka lënë anash ose ligjet aktuale nuk po adresojnë një kërkesë aktuale të komunitetit serb, kërkesa po vjen vazhdimisht nga qeveria serbe në Beograd në këtë rast ku për asociacionin po insistojnë në themelimin e asociacionit, ndërsa ne kur po e trajtojmë në aspektin edhe me partnerët ndërkombëtarë kërkojmë të identifikojmë më qartazi apo më konkretisht se çka ka të drejtë të munguar që mund të plotësohet dhe të konsiderohet se ka barazi të plotë në mes të etnive në Kosovë që ne besojmë aktualisht është edhe me ligjet aktuale në Kosovës. çka ne konsiderojmë se ka nevojë, ka nevojë për rend dhe ligj dhe për drejtësi në katër komunat në veri të vendit”, tha Kusari-Lila.
Deputetja nga radhët e LVV-së ka deklaruar po ashtu se dialogu është e vetmja platformë për normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe siç shprehet ajo secila temë duhet të diskutohet në përmbajtje dhe në kontestin e rrethanave të krijuara aktualisht dhe nevojave aktuale.
“Gatishmërinë e kemi në maksimum dhe mbështetjen e plotë ia japim edhe qeverisë së vendit, kryeministrit, kryenegociatorit për dialog, konsiderojmë se dialogu është e vetmja platformë për normalizim të raporteve mes dy shteteve, por gjithashtu që secila temë duhet të diskutohet në përmbajtje dhe në kontestin e rrethanave të krijuara aktualisht dhe nevojave aktuale, jo vetëm në kuadër të një teorie e cila vazhdimisht insiston në një mekanizëm në kuadër të të cilit ne duhet të shikojmë se çfarë kompetenca shtesë kërkohet që nuk janë të mbuluara me legjislacionin aktuale” , tha ajo.
Sa i takon një afati kohor se mund të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kusari-Lila tha se është vështirë të flitet për afate dhe data.
“Është vështirë të flasim për afate dhe data për arsye se flasim për palë prandaj ne mund të flasim për gatishmërinë tonë që të arrihet një marrëveshje sa më parë, një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e plotë të raporteve mes dy vendeve si dy shtete të pavarura dhe sovrane, përderisa nuk mund të japim asnjë garanci për palën tjetër, sepse e dimë që flasim për një palë e cila deri më tash jo vetëm që nuk ka zbatuar marrëveshjet po gjithashtu jemi ballafaquar edhe me situata dhe tensione të aspiratave të tyre ndaj territorit të Kosovës prandaj deri në këtë pikë mund të themi vetëm për gatishmërinë dhe përgatitjen tonë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare në normalizim të raporteve mes dy shteteve sa më parë”, theksoi ajo.

Back to top button