Kusari-Lila: Opozita të ofrojë alternativa, jo bojkot

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se rezoluta e propozuar nga partitë opozitare lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pasi partitë opozitare lëshuan sallën e seancave plenare, Kusari-Lila ka thënë se nëse opozita dëshiron të gjejë zgjidhje duhet të ofrojë alternativa në raport me krizën energjetike dhe jo bojkot.
Tutje, ajo ka theksuar se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është i angazhuar të dërgojë komentet në raport me modelet të cilat sipas saj, do të jenë sa më të përshtatshme që të përballet kriza energjetike dhe të mos dëmtohet interesi i qytetarëve të Kosovës.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka kundërshtuar as nuk e ka miratuar, gjegjësisht nuk ka marrë pjesë në votim përderisa është procesi i konsultimeve të hapura ende pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji, nuk ka vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike, ka diskutim dhe propozim nga Zyra e rregullatorit të Energjisë, si treta, shtrenjtimi i rrymës nuk është se i përjashton katër komunat e veriut, katër komunat e veriut janë jashtë sistemit rregullues aktual të Kosovës si rrjedhojë e periudhës 22 vjeçare. Nuk është kjo qeveri që ka ndryshuar në raport me favoret atje, janë qeveritë e deritashme në atë qe e kanë sjellë këtë situatë dhe këtë rrethanë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Partitë opozitare kanë lëshuar sot sallën në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet në Kuvend.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, Armend Zemaj nga LDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja kanë thënë se është e pakuptimtë qëndrimi në sallë, teksa akuzuan pushtetin për mosvotim të draft-rezolutës kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe diskutimin për të./21Media

Back to top button