Kush po i shkakton incidentet ndëretnike? Akuza dhe kundër akuza pushtet-opozitë

Në Maqedoninë e Veriut, pushteti dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për nxitje të tensioneve ndëretnike. Zëvendëskryeministri Artan Gubi kërkoi nga qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të cilat siç tha ai, i shërbejnë Rusisë.
“Apeloj te të gjithë qytetarët që të përmbahen që të mos bëhen pjesë e këtyre skenarëve ogurzeza, të cilat kanë vetëm për qëllim që t’i shërbejnë agjentëve ruse në Maqedoninë e Veriut, dhe për ta larguar Maqedoninë nga BE”, deklaroi Artan Grubi.
Por lideri i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se incidentet janë skenarë të krijuara nga Qeveria.
“Këto skenarë janë të krijuara nga Qeveria, ministri i punëve të Jashtme Bujar Osmani, paralajmëroi që do ketë tensione ndëretnike nëse nuk e pranojmë propozimin. Kush do ta mbrojë  asimilimin dhe bullgarizimin? Mickoski dhe Spasovski në vazhdimësi ndërtojnë konteste militante për të krijuar tensione ndëretnike”, pohoi Hristjan Mickoski.
Nga ana tjetër LSDM akuzon Mickoksin se rolin kryesor në incidentin te Sheshi Skënderbeu e luajtën partnerët e tij të koalicionit në Qytetin e Shkupit.
“Sjellja e opozitës është e turpshme, e tmerrshme dhe e rrezikshme, e cila tenton të tregojë një lloj tensioni ndëretnik që në fakt provokohet nga përfaqësuesit më të lartë të partive opozitare.  Zudi Koka është njeriu i Mickoskit.  Sipas skenarit të tyre gjakatar, duhej të luante si sulmues i tij. Ministria e Brendshme e ka arrestuar tashmë këtë person”, thanë nga LSDM.
Nga ASH kërkojnë që policia t’i mbrojë qytetarët në mënyrë që ata të mos të detyrohen vet të mbrohen.
“Ju bëjmë thirrje partive dhe faktorëve politik, bartësve të institucioneve, të mos e ngarkojnë situatën me shpifje politike, por t’i mbrojnë qytetarët, dhe të mos detyrohen qytetarët që të vetë mbrohen, siç ndodhi në Shkup, për të mbrojtur pronën e tyre, bukën e gojës dhe jetën e tyre”, pohoi Naim Bajrami(Aleanca).
Ndryshe e gjithë kjo situatë është krijuar me arritjen e propozimit francez, përmes së cilit opozita thotë se maqedonasit do të asimilohen./21Media

Back to top button