Kushtetuesja shfuqizon vendimin për shkarkim të anëtarëve të KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi kërkesën e parashtruar nga Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme, vendimi nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës, të shfuqizojë vendimin e lartcekur, të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021 dhe të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.
Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretenduan para Gjykatës se vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pretendimet e dorëzuara në Gjykatë nga një deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër të tjera, theksojnë se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen çështje kushtetuese./21Media

Back to top button