Kushti për Asociacionit rrezikon dialogun e Brukselit!

Kërkesa e vendeve të Bashkimit Evropian se Kosova duhet ta zbatojë pikën e marrëveshjes bazë për themelimin e Asociacionit, ka ngjallur reagimin e partisë në pushtet Vetëvendosje. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, vendosja e Asociacionit si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës do ta rrezikonte procesin e dialogut. Ndërkohë, në opozitë kritikojnë Qeverisë se për shkak të vendimeve të pa koordinuara me faktorin ndërkombëtar, përveç Asociacionit Kosovës mund ti vendosen edhe kushte të tjera. Analistët vlerësojnë se nëse Kosova nuk e themelon Asociacionin pritet të ketë izolim gjeopolitik i cili do ta dëmtonte rrugën integruese.

Bashkimi Evropian insiston në kërkesën që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si obligim që del nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Disa vende anëtare të BE-së themelimin e Asociacionit ndërlidhin me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, shkoqitja e vetëm një pike të marrëveshjes së Brukselit është e papranueshme për Qeverinë.

Kjo qasje e vendeve të BE-së, sipas anëtares së Komisionit për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli, do ta dëmton ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Shtetet kryesore të BE-së, siç janë Franca dhe Gjermania i kanë ndihmuar Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje. Nëse nxjerrët prej asaj marrëveshje vetëm pikat të cilat na interesojnë, atëherë kjo do të thotë se po e dëmtojnë diçka të përbashkët që është arritur bashkë me BE-në. Franca dhe Gjermania do ishte mirë ta mbronin atë marrëveshje duke kushtëzuar palët që ta zbatojnë pikat. Dialogu nuk lidhet me Këshillin e Evropës”, tha Pacolli për rtv21.

Franca, Gjermania, Italia janë vetëm disa prej shteteve brenda BE-së që po kërkojnë hapa konkret drejt themelimi të Asociacionit, përpara votimit në Këshillin e Evropës, duke e vënë në pikëpyetje vendosjen e çështjes së Kosovës në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Por, Asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, tha se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se kjo nuk rrezikon futjen e Kosovës në agjendë. Sipas saj, disa vende që po e kërkojnë këtë, janë në një frymë me kërkesat e Serbisë.

“Jo, nuk ka absolutisht asnjë rrezik që Kosova të mos përfshihet në agjendën e Këshillit të Ministrave të KE-së. E kaloi me sukses hapin e parë, ata nuk mund të kthehen tani, është shumë vonë dhe do të ishte e turpshme për institucionin e këshillit të Evropës. Dhe jo, Asociacioni NUK është kusht. Italia po e keqpërdor këtë për të mbajtur marrëdhënie të mira me Serbinë, por askush nuk e vuri si kusht dhe raporti është mjaft i qartë duke thënë se pas anëtarësimit Kosova do të duhet të punojë për këtë, jo më parë”, tha Woelk për rtv21.

Opozita kritikon Qeverinë se me vendimet e pa koordinuara me faktorin ndërkombëtar, po e rrezikon rrugën integruese të Kosovës. Sipas deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, përveç Asociacionit, Kosova mund të ketë edhe kushte të tjera për shkak të qasjes së Qeverisë.

“Përveç Asociacionit, Kosovës do ti vendosen edhe kushte të tjera për shkak të kësaj Qeverie”, tha Berisha.

Bashkëpunëtori i RTV21, analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se Asociacioni është shtylla kryesore e vazhdimësisë së dialogut në Bruksel. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja që ka presion ndaj Kosovës për themelimin e kësaj trupe.

“Asociacioni pika më e rëndësishme për periudhën pas përfundimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, kjo është arsyeja e presionit. Kjo është arsyeja që ka kaq shumë presione. Nëse nuk ka hapa për themelimin e Asociacionit do të ketë izolim gjeopolitik dhe në rrugën integruese”, tha ai.

Qeveria thotë se nuk pranon që të zbatohet vetëm pika e marrëveshjes bazë ku flitet për Asociacionin. Sipas qëndrimit zyrtar të Qeverisë, marrëveshja duhet të zbatohet në mënyrë të sekuencuar./RTV21/21Media

Back to top button