Lajçak pas takimit: Kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron propozimi evropian

(Lajm i përditësuar)
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me emisarët ndërkombëtar, Lajçak dhe Escobar, si dhe këshilltarët e Macron, Scholz, Maria Talo.
Para mediave u prononcua emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili nuk dha shumë detaje, por tha se takimi ishte i hapur dhe se gjitha energjitë tani janë të fokusuar në planin e BE-së për dialogun dhe arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se tha  se kanë pritur më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve dhe mundësitë që ai ofron.
“Qëllimi i takimit me Kurtin ishte propozimi ynë për normalizim të marrëdhënieve që e prezantuam në shtator dhe pastaj në dhjetor. I kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur.
“Nuk  mund të them shumë, por mund të them se kemi pritur mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj se do të arrijmë aty. Ne do të vazhdojmë të punojmë”, tha Lajçak.
12:30 – Kurti njofton emisarët ndërkombëtarë për situatën me vërshimet
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti gjatë takimit me pesë emisarët ndërkombëtarë i ka njoftuar ata edhe për vërshimet në Kosovës.
Në pamjet që ka publikuar Qeveria e Kosovës., Kurti dëgjohet duke i njoftuar ata për përmbytjet në disa komuna si pasojë e reshjeve të shiut.
Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura.

10:01- Nis takimi i emisarëve ndërkombëtarë me Kurtin
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i kanë shkuar në takim një delegacion i zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dinamizuar dialogun Kosovë-Serbi.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe këshilltarin diplomatik të kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò, si dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shkuan të takim Kurtit në objektin qeveritar.
Kjo vizitë e nivelit të lartë vjen në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo ashtuquajturin plani franko-gjerman për dialogun.
Pas vizitës me Kurtin, delegacioni BE-ShBA do të vizitojnë Beogradin, ku pritet të takohen edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Siç është raportuar, në kuadër të planit të BE-së për dialogun është paraparë që deri në fund të muajit mars të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
08: 13- Pesë ndërkombëtarë zbarkojnë sot në Prishtinë, do të takohen me Kurtin
Një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, do të vizitojnë sot Prishtinën, ku do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, takimi do të nis në ora 10:00.
Delegacioni do të përbëhet nga emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministrit të Italisë, Francesco Talo.
Si moment i rëndësishëm, këto vizita i ka quajtur Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Ai për REL ka thënë se nuk pret që të gjendet zgjidhje nga këto takime.
“Përsëri, është shumë e rëndësishme që vizitat bëhen dhe që palët bisedojnë. Kjo vizitë është një vazhdim i vizitave të mëparshme, në fund të vitit të kaluar. Është një moment shumë i rëndësishëm. Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Nuk presim që kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve nesër. Por, është një pikë e rëndësishme kthese. Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë”, ka deklaruar Chollet./21Media

Back to top button