Lajçak: Pranimi i planit evropian do të zvogëlonte hapësirën e Rusisë për ndërhyrje në Ballkan

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë sot se pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të zvogëlojë hapësirën për ndërhyrjen e Rusisë në ngjarjet në rajon dhe do krijimin e kaosit, shkruan N1.

“Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë për Bashkimin Evropian”, tha Lajçak gjatë konferencës online “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”, organizuar nga Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare.

Lajçak, siç raporton N1, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë problem kyç për të gjithë rajonin, i cili bllokon normalizimin e Ballkanit Perëndimor dhe lirinë e lëvizjes.

“Pranimi i marrëveshjes do të ishte një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin”, tha Lajçak.

Duke thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë pajtuar se nuk ka nevojë për bisedime të reja për tekstin e marrëveshjes, Lajçak tha se duhet të përcaktohet rendi i hapave të ardhshëm, afatet dhe kush duhet të bëjë atë që duhet të bëjë.

“Kemi krijuar anekse në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Pas bisedimeve të mia në Prishtinë dhe Beograd, është duke u përgatitur një version i ri i aneksit, i cili do të diskutohet në Ohër të shtunën”, tha Lajçak.

Back to top button