Latifi ka prioritet sistemin informativ shëndetësor dhe atë të sigurimeve shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, për herë të parë pas marrjes së detyrës, për më shumë se dy orë ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Latifi ka renditur shtatë shtyllat kryesore përmes të cilave synon të përmirësojë sistemin shëndetësor. Ai ka thënë se synim kryesor ka vendosur Sistemin Informativ Shëndetësor, avancimin teknologjik mjekësor dhe sistemin e sigurimeve shëndetësore, por nuk dha asnjë afat se kur qytetarët do të kenë sigurime shëndetësore.
Qysh në fillim të raportimit të tij, ai ka theksuar se arsye pse është kthyer nga Amerika për të kontribuar në sistemin shëndetësor është që t’ia kthejë borxhin Kosovës për përgatitjet e tij edukativo-arsimore që ka zhvilluar në vend.
Ai ka propozuar një decentralizim të spitaleve rajonale në mënyrë që QKUK të mos ngarkohet.
”Çka unë mendoj me këtë përvojën time shumë të gjatë më pak se 1 muaj mendoj se ne duhet të koncentrohemi në shtatë shtylla kryesore këto shtylla jonë: Sistemi Informativ Shëndetësor dhe avancimin teknologjike mjekësore, Sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe i Fondit Shëndetësor, Reformimi i agjencive kombëtare të MSH-së dhe ndoshta shtimi i një agjencie tjetër… Numër pesë kam përshtypjen se kemi nevojë për decentralizim të sistemit shëndetësor dhe fuqizimin e spitaleve rajonale. Ne ngarkojmë QKUK edhe me çështje dhe operacione dhe sëmundjet më të vogla të cilat do të duhej të trajtoheshin në spitalet rajonale. Numër 6 integrimi i kapaciteteve akademike dhe klinike dhe reformimi i sistemeve shkencore”, ka thënë Latifi.
Qëllimin për decentralizimin e sistemit shëndetësor dhe fuqizimin e spitaleve regjionale e ka përshëndetur deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili është interesuar të dijë më shumë për njohjen e certifikatës të vaksinimit dhe funksionalizimin e Spitalit të ri Pediatrik.
Për funksionalizimin e këtij spitali, ministri Latifi ka thënë ka biseduar me hisedarët dhe se shumë shpejt do të japë përgjigje për këtë çështje.
Ndërsa, për njohjen e pasaportat e vaksinës nga BE-ja, ministri Latifi ka thënë se edhe kjo çështje do të rregullohet, duke mos dhënë ndonjë kohë të caktuar.
Ministri i Shëndetësisë nuk ka mundur të japë datë as për SISh e as për Sigurime Shëndetësore për shkak se, siç ka thënë ai, nevojitet punë e madhe dhe grupet punuese duhet të bëjnë analiza se çka ka shkuar mirë e çka keq.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu derisa është shprehur i hapur për bashkëpunim me ministrin Latifi nga ai kërkoi të dijë se ka strategji për vaksinim për vitin 2022. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka dështuar në avancimin e agjendës legjislative të paraparë për vitin 2021.
Haxhiu është interesuar të dijë se Kosova a ka kapacitete për diagnostikimin e variantit Omicron për çka ka shprehur edhe dyshimet se mos këto rastet e shumta me gripin sezonal janë omicron.
Pyetjeve dhe vlerësimeve të deputeti Haxhiu, ministri i Shëndetësisë i është përgjigj duke thënë se procesi i vaksinimit është ndër sukseset e Kosovës në luftën e pandemisë COVID-19.
Ndërsa, ka treguar se Kosova nuk ka kapacitete që të identifikojë variantet e reja të COVID-19, por shtoi se është informuar nga IKSHP se janë në përfundim të një qendre që do të merret me këto aspekte.
Latifit i janë adresuar pyetje edhe për strategjinë për shëndetësi dhe planin legjislativ. Për këtë të fundit Latifi ka thënë se fillimisht duhet të krijohet strategjia e pastaj të adapotohen ligjet.
Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka ngritur si shqetësim njohjen e certifikatave të vaksinimit. Ai ka fajësuar qeverinë, duke thënë se kjo mosnjohje ka ardhur si pasojë e skandaleve të verës të këtij viti me testet PCR.
Pas kësaj, ka reaguar kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku që vjen nga partia në pushtet, e cila ka thënë se asnjë test i bërë në institucionet publike nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje. Sipas saj, rezultatet e testeve të bëra në institucionet private të licencuara nga vetë Zemaj sa ishte ministër kanë qenë ato që kanë ngjall dyshime në vendet e jashtme.
Përplasje ka pasur përsëri në mes të kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, Fatmire Kollçaku dhe Armend Zemajt, nënkryetar i këtij Komisioni kur ky i fundit e ka këshilluar ministrin Latifi që të mos e shpallë të përfunduar pandeminë COVID-19, ashtu siç ka thënë ai se ka bërë edhe kryeministri.
Ministri Latifi nga Komisioni për Shëndetësi është pyetur edhe për specializantët, për çka ka thënë se është i interesuar ta zgjidhë problemin e tyre. Ndërsa, për pagat e stafit shëndetësor në nivel vendi, Latifi ka deklaruar se nëse paguhen mjekët kaq pak, atëherë nuk mund të kërkohen shërbime të jashtëzakonshme nga ta./Kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?