Kaloni te përmbajtja kryesore

Tahiri: “Ballkani i Hapur” është gabim, s’kemi nevojë për avokat

 
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar mazhorancën për mospërmbushje të agjendës legjislative. Ndërkohë që e ka bërë të qartë qëndrimin e AAK-së sa i përket pjesëmarrjes në “Ballkanin e Hapur”, të cilën e ka konsideruar të gabuar edhe pse e mbështeti Bashkimi Evropian.
Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se agjenda legjislative e prezantuar nga qeveria ka qenë listë dëshirash.
“Agjenda legjislative e këtij viti e prezantuar nga Qeveria, realisht ka qenë listë dëshirash, ka qenë një tendencë për me i tregu popullit çfarë agjende legjislative kemi. Në qoftë se bëjmë një vlerësim kritik, shohim se ky Kuvend është shumica më e dobët parlamentare në histori të Kuvendit në raport me zbatimin e përqindjes së ligjeve që i ka vendosur në agjendën legjislative”, tha ai.
Pavarësisht mbështetjes që i dha Bashkimi Evropian samitit “Ballkani i Hapur”, AAK nuk ka ndryshuar qëndrimin e mëhershëm.
Sipas Tahirit, Kosova ka nevojë për miq dhe jo për avokat dhe si rrjedhojë nuk bëhet pjesë e këtij samiti, kur nuk e njeh Serbia.
“Kosova nuk bëhet pjesë e ‘Open Balkan’, kur nuk e njeh Serbia. Çfarëdo tentative tjetër është gabim. Iniciativat tona duhet të jenë në këtë drejtim: qëndrueshmëria në kërkesat tona për anëtarësim në NATO, qëndrueshmëri dhe strategji të saktë në raport me integrimin evropian dhe njohjen nga 5-shja e BE-së. Çfarëdo iniciative tjetër është një mundësi e mirë për fotografi, por nuk ka asnjë efekt pozitiv për Kosovën… Nuk kemi nevojë për avokat, kemi nevojë për miq”, tha ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button