LDK: Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd

Lidhja Demokratike e Kosovës i dha mbështetje dje institucioneve të Kosovës, në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit. Dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkoi koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksoi që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia.
Por, nga kjo parti thonë se “nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme”.
“Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.
“Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit”, thuhet tutje në reagim./21Media

Back to top button