LDK nuk përkrah asnjërin kandidat për balotazh në Prizren
Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, njoftoi se nuk do të përkrahë as LVV-në e as PDK-në në balotazh.
Këtë vendim e ka marr sonte kryesia e kësaj partie në Prizren, duke thënë se LDK-ja e ka mbyllur garën dhe se tani do të fillojnë të merren me veten.
“Në takimin që sapo mbajtëm, kryesia e LDK-së në Prizren, vendosi që të mos i bashkohet asnjërit kandidat për kryetar të Prizrenit. Qytetarët e Prizrenit, përfshi edhe simpatizantët e votuesit tanë, do ta kenë rastin t’i dëgjojnë edhe njëherë programet qeverisëse të dy kandidatëve përgjatë fushatës së balotazhit dhe në bazë të tyre të vendosin lirshëm se ku ta japin votën e tyre. Ne LDK-ja e kemi mbyllur garën tonë dhe do të fillojmë menjëherë të merremi me veten, të bëjmë analizën e thellë të performances në këto zgjedhje, e në bazë të saj do ta fillojmë pastaj riorganizimin dhe konsolidimin e radhëve tona. Dalja në votim është e drejtë demokratike dhe ne i ftojmë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë të drejtë duke votuar sipas vullnetit të tyre”, thuhet në njoftimin e LDK-së të bërë në Facebook.
Kandidat i LDK-së në zgjedhjet komunale të 17 tetorit ishte Anton Quni. Kurse, kurse, në balotazh do të garojnë kryetari aktual, Mytaher Haskuka i VV-së, dhe Shaqir Totaj i PDK-së./Media