LDK thotë se Qeveria ka krijuar pabarazi mes nxënësve

Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi Qeverinë e Kosovës se është duke mirëmbajtur grevën në arsim dhe duke shkaktuar kriza të njëpasnjëshme.
Kryetarja e Forumit të Gruas së kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës që greva të zgjasë kaq shumë për mungesë të vullnetit të një qeverie për të gjetur zgjidhje.
Ajo u shpreh se nuk ka më asnjë justifikim që kjo situatë të vazhdojë më tutje, ndërsa kritikoi kryeministrin Albin Kurti se gjen mundësinë për të tallur mësimdhënësit, por jo edhe për t’i takuar të njëjtit.
“Nuk ka asnjë justifikim që kjo krizë të mirëmbahet nga qeveria jonë. Ajo është përgjegjëse për të prodhuar zgjidhje. Për më tepër kjo qeveri është duke kontribuar në krijim të pabarazisë totale në mes të fëmijëve tanë. E dini që kjo qeveri është thirrur në parime të barazisë por duke bllokuar procesin mësimor në shkollat publike dhe duke lejuar funksionimin e shkollave private, ka krijuar një pabarazi në mes nxënësve të shkollave publike të cilët nuk janë të barabartë me ato të shkollave private”, tha ajo.
LDK mendon se ekzekutivi është duke bërë presion te shkollat për të filluar mësimin, ndërsa sipas Lushtaku-Sadriut fakti që disa shkolla kanë nisur mësimin e disa të tjera jo e thellon edhe më shumë pabarazinë.
Lushaku-Sadriu tha se kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime, ndërsa u shpreh se mbështesin çfarëdo lloj zgjidhje nga ana e qeverisë që do t’i jepte fund grevës dhe të fillonte mësimi.
Lushtaku-Sardiu tha se si parti janë në favor që Projektligji i pagave të hyjë në fuqi sa më parë duke kërkuar largimin e nenit që thotë se hyn në fuqi 8 muaj pas miratimit në Kuvend.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në grevë që nga data 25 gusht. Atyre iu janë bashkangjitur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës duke refuzuar që të nis mësimin. Megjithëse disa shkolla nëpër komuna të ndryshme tashmë kanë bojkotuar grevën duke hapur dyert për nxënësit.

Back to top button