Lëvizja Besa ndahet nga LSDM-ja, në Kuvend do të veprojnë si të pavarur

 

Në një muaj e gjysmë pas konstituimit të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut dhe një javë pasi u formuan grupet e deputetëve, Besa vendosi që në të ardhmen në Kuvend të veprojë në mënyrë të pavarur. Besa ka katër deputetë që i mori me lista të përbashkëta me LSDM-në. Kostadin Kostadinov për TV21 tha se vendimin e këtillë e kanë sjellë bashkërisht.

“Vendimi që partneri ynë Besa të veprojë në mënyrë të pavarur në suaza të Parlamentit, është i përbashkët, për shkak të funksionimit më të mirë dhe më efikas të shumicës”, tha Kostadin Kostadinov nga LSDM-ja.

Në shkresën që ia kanë dërguar kryeparlamentarit Talat Xhaferi janë shkruar emrat e katër deputetëve Bilal Kasami, Kastriot Rexhepi, Fadil Zendeli dhe Bastri Bajrami ku thuhet se ata do të veprojnë në mënyrë të pavarur, por Kastriot Rexhepi i cili do t’i koordinojë deputetët e kësaj partie, tha se kjo nuk do të thotë se ata largohen nga partia.

“Kjo nuk do të thotë se ne largohemi nga partia, por se organizohemi më mirë që të punojmë në mënyrë më efikase si Besa në Parlament. Nuk kemi asnjë problem me koalicionin Mundemi dhe ky vendim që të jemi jashtë koalicionit nuk do të thotë se nuk do t’i përkrahim ligjet që do t’i iniciojë pushteti. Largimi për ne është i rëndësishëm që të jemi më afër votuesve”, theksoi Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.

Që të krijohet grupi i deputetëve sipas Rregullores duhen të paktën 5 deputetë, që do të thotë se Besa nuk do të mundet në mënyrë formale të dorëzojë kërkesë për grupin e deputetëve, raporton TV21./21Media  

Back to top button