Limaj: Është koha që Kaçaniku të përfaqësohet në qeveri

Limaj ripërseriti premtimet

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i shoqëruar edhe nga disa kandidatë për deputetë, ka zhvilluar sonte në Kaçanik një takim me qytetarë, ku premtoi që brenda dy viteve, çdo familje do ta ketë së paku një person të punësuar.

I pari i Nismës tha se është koha që Kaçaniku të përfaqësohet me të vërtetë. Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se asnjëherë Kaçaniku nuk ka qenë më i përfaqësuar dhe me shumë kompetenca sesa me Nismën për Kosovës. Ndërkohë që tha se për herë të parë Kaçaniku do të jetë pjesë e qeverisjes më të vërtetë.

Po ashtu, Limaj kaçanikasve u premtoi se për dy vitet e ardhshme çdo familje do të ketë një të punësuar.

“Me neve në qeveri, kemi planifikuar që brenda dy viteve të ardhshme të gjithë ata njerëz, të cilët mund të punojnë dhe ato familje që se kanë asnjë njeri në punë brenda dy viteve të punësohen”, tha ai.

Para qytetarëve të Kaçanikut, Limaj paraqiti edhe prioritete e kësaj partie, ku sipas tij prioritet është krijimi i fondit të vetëpunësimit, fuqizimi i sektorit të bujqësisë dhe punësimi i një anëtari për secilën familje.

Agim Çaka, kryetar i degës së Nismës në Kaçanik, tha se ky qytet ka ditur gjithmonë të rreshtohet drejt proceseve, të cilat kanë qenë në dobi të Kosovës.

Ndërsa, Valdete Dushica-Bajrami, kandidate për deputete, tha se Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj do të qeverisin ndryshe nga ata që i kanë qeverisur më herët.

 

“Sa e nevojshme është që Nisma të jetë në Kuvend, po aq e nevojshme është që Nisma të jetë në qeveri dhe tashmë ne do të jemi pjesë e qeverisë. Ku qeverisja Limaj dhe Haradinaj do të qeverisë ndryshe nga ato të cilat i kemi pasur më herët”, tha ajo.

Back to top button